Buxheti i shtetit për vitin 2010 mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike, për të cilën Ministri i Financave, Ridvan Bode, parashikon të jetë 6.5%.

Gjatë prezantimit në komisionin e ekonomisë, ministri Bode tha se ky buxhet është modeli i një qeverisje të vogël, taksa të ulëta, investime publike në nivelin 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një deficit të kontrolluar në nivelin 3-4%.

Ridvan Bode: “Për vitin 2010, qeveria ka propozuar një buxhet në tërësinë e tij shkon rreth 411 miliard lekë të reja. Do të ketë një rritje ekonomike e cila do të jetë në nivelet rreth 6.5% sipas parashikimeve të qeverisë, ndërkohë që viti 2009 mendohet të mbyllet me një rritje ekonomike prej 5%-5.3% ka qenë fundi i 6 mujorit”.

Ministri ka garantuar vijimin e investimeve publike. Projekte të tilla si autostrada Tiranë-Durrës apo rruga e Arbrit do të mbështeten me kredi të buta nëpërmjet një fondi të veçantë të siguruar nga donatoret.

Buxheti i 2010 ndjek dhe një politike sociale që parasheh rritje të mëtejshme të rrogave dhe të pensioneve.

Kreu i financave tha se të ardhurat nga reduktimi i shpenzimeve administrative, si heqja e transportit për deputetet apo për institucionet e tjera publike, do të kalojnë për fondin e pagave dhe pensione.

Ridvan Bode: “Për vitin 2010 është parashikuar që politikat sociale, mbështetja sociale të marrin një rritje më të madhe 14% në krahasim me vitin 2009 dhe do të kemi një rritje të pagave që do të lëvizin nga 4, pagat e larta në 10, pagat e ulta .. në krahasim me vitin 2009. Një rritje të pensioneve me parametra 7 deri në 10% duke marrë masën e re, heqjen e transportit të makinave e të shoferëve. Ne kemi pakësuar me 1.5 miliard fondin e harxhuar për të … duke i përdorur të gjitha këto fonde për rritjen e pagave dhe të pensioneve”.

Ndër sektorët prioritar, Ministri i Financave veçoi atë të shëndetësisë ku parashikohet një reforme e thellë që ka në fokus pacientin dhe cilësinë e shërbimeve.

Po ashtu në këtë buxhet parashikohet mbështetje më e madhe me fonde dhe për sektorin e bujqësisë dhe të arsimit./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro