Lajme Arkiva 2004

Forcat Komando të cilat sapo janë kthyer nga Iraku i gjetëm në një ditë normale stërvitje. Ata kanë marrë pjesë në kontingjentin e dytë të kompanisë paqeruajtëse Shqiptare në Mosul. Janë  të gjithë oficerë dhe mbajnë grada të ndryshme.

Tashmë gjithë eksperiencën si ushtarak apo edhe si paqeruajtës në Irak ja përcjellin këtyre të rinjve, të cilët  po  trajnohen këtu në brigadën e Forcave Komando. Përpiqen t’i mësojnë gjithçka që dinë sepse këta të rinj do të jenë përfaqësuesit e ardhshëm të forcave tona paqeruajtëse pas pak muajsh.

Kapiten Besimi, Edmondi dhe Ylli si edhe të rinjtë Ermiri dhe Marigleni, i sheh si gjithmonë bashkë. Ata dëshmojnë për gjithçka që u ndodh në stërvitje dhe që kaluan në Irak.

“Ne duhet tu tregojmë  atyre, ato që ne mësuam nga të tjerët por edhe eksperiencën tonë t’ua kalojmë edhe brezave që do shkojnë pasi është në të mirën e tyre dhe  në të mirën e gjithë ushtrisë me një fjalë që të përfitojmë nga përvoja e të parëve”.

“A lodheni duke mësuar ato çfarë dini komandove të reja?”

“Ne kemi për krenari që të stërvitim brezat e rinj, që  ata të jenë sa më të përgatitur për detyrat që  do të marrin”.

Mbi të gjitha në detyrën e tyre si ushtarakë ata zbatojnë urdhrat dhe detyrat në shërbim të atdheut.

“Jam ushtarak dhe këtu qëndron ndryshimi, megjithëse ishte një ndryshim i vogël kësaj radhe, se të gjithë pa përjashtim kanë shkuar me dëshirë, në radhë të parë është një  detyrim si ushtarak. Unë nuk mendoj dot të mos i bindem urdhrit, çfarëdolloj urdhri me përjashtim të atyre urdhrave që thuhet që bien në kundërshtim me  kushtetutën”.

Ndërsa toger Marigleni u dallua nga shokët e tij dhe për faktin që ai dinte pak më mirë se të tjerët gjuhën arabe. Kështu kalon dita dhe për komandot e tjera të rikthyer pranë repartit të tyre.

Kapiten Ylli tregon në hartë zonën e  veprimit  të forcave tona  komando, ndërkohë dy javë pas kthimit nga misioni paqeruajtës ata sapo kanë marrë edhe pagesën në bazë të kontratës së shkruar para nisjes në Irak.

“Pagesat që na u dhanë pas vendimit të këshillit  të ministrave, ishte dieta  ditore 100 dollarë në ditë, të cilën ne e morëm 2 javë  pasi erdhëm. Pasi bëmë dy javë  pushime ditën e par të punës u likuiduam me pagesën tonë”.

Ndërsa largohemi nga kjo qendër ushtarake ku stërviten komandot shqiptare, na bën përshtypje kjo parudhë e shkruajtur me shkronja të mëdha e cila është edhe moto e trupave komando./tvklan.al