Në raundin e dytë të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë këtë të dielë sipas sondazheve të fundit partia e Le Pen duket se nuk do të fitojë shumicën dërmuese të votave.

Një anketë e agjencisë “OpinionWay”, e realizuar për gazetën e përditshme të biznesit Les Echos e nxjerr Bashkimin Kombëtar fitues me 205-230 vendeve në parlament. Partia Fronti i Ri Popullor e krahut të majtë u radhit e dyta me 145-175 vende dhe blloku i partive të qendrës i Presidentit Emmanuel Macron i treti me 130-162 vende ne parlament. Për të siguruar shumicën absolute, një partie i duhet të fitojë 289 vende në parlament.

Mbi 200 kandidatë nga i gjithë spektri politik u tërhoqën nga gara elektorale për raundin e dyte për t’u hapur rrugën kandidatëve që kanë shanse më të mira për të mundur kandidatët e Bashkimit Kombëtar në distriktet e tyre, një proces i njohur me emrin “fronti republikan.”

Por, përkundër këtyre masave, situata mbetet e paparashikueshme. Nuk është e qartë nëse votuesit do t’i përgjigjen përpjekjeve të partive që të bllokojnë Bashkimin Kombëtar.

Udhëheqësja e Bashkimit Kombëtar, Marine Le Pen u tha mediave franceze se ende beson se partia e saj do të fitojë shumicën dërmuese të vendeve në parlament përkundër përpjekjeve të përbashkëta të skenës politike për ta kundërshtuar lëvizjen e saj. Në raundin e parë votuan rreth 65% e elektoratit një shifër pjesëmarrjeje më e lartë se në çdo zgjedhje legjislative që nga viti 1997. Megjithëse Macron do të mbetet president, bashkëjetesa politike ku presidenti dhe qeveria janë nga vija të ndryshme politike mund të sjellë përplasje të mëdha në vend.

Pas këtij raundi, presidenti do të emërojë një kryeministër të ri. Kushtetuta nuk parashtron asnjë kriter me të cilin mund të bëhet kjo. Macron mund të emërojë një teknokrat ose politikan, dhe një që do të komandonte një shumicë parlamentare, ose jo. Analistet paralajmërojnë edhe për mundësinë e incidenteve të dhunshme pas shpalljes së rezultateve të votimit të së dielës.

Policia franceze ka shtuar masat e sigurisë për ndalimin e protestave të ekstremistëve.

Klan News