Nis puna për banesën e parë në Bubq

Armand Duka dhe Edy Reja çimentuan këto dy tulla si simbol i gurit të parë të themelit për rindërtimin e një shtëpie në fshatin Bubq, e rrënuar nga tërmeti i Nëntorit të vitit të shkuar.

Prej 10 muajsh kjo familje jetonte në këtë çadër, ndërsa tashmë po sheh punimet për banesën e re që u mundësua nga kontributi i federatës së futbollit, punonjësit e saj dhe pjesëtarët e ekipit kombëtar.

Paralel me rindërtimin e kësaj banese, përfaqësuesja e futbollit do të nisë fushatën për kualifikueset në grupin e Ligës së Kombeve.

“Ishte kënaqësi të merrja pjesë në këtë nismë duke shpresuar t’i kthejmë njerëzit në jetën normale. Ashtu siç hodhëm gurin e parë të themelit të kësaj shtëpie, vitin e kaluar ndërtuam themelet e skuadrës. Tashmë duhet të kërkojmë rezultate të rëndësishme. Lojen e kemi ndërtuar, tashmë duhet ta konkretizojmë me gola”.

Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë përsipër ndërtimin e 4 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti vitin e shkuar.

Tv Klan