Në Gjirokastër kryeministri Sali Berisha bëri një bilanc të katër viteve qeverisje. Rezultatet kryetari i qeverisë i ndau me qytetarët kur tha se falë kontributit të tyre vendi është anëtar i NATO-s, është në krye të listës europiane për nga rritja ekonomike, ka shënuar rezultate domethënëse në luftën  ndaj korrupsionit. Kryeministri u ndal posaçërisht tek Gjirokastra. Në këtë rreth u investuan në katër vite njëzet herë më shumë se sa në tetë vitet pararendëse tha Berisha, ose 6.2 miliardë lekë kundrejt 800 milionë lekëve të investuar nga socialistët. Para të shpenzuara për ndërtimin e 23 ujësjellësve dhe 34 rrugëve të reja.

Sali Berisha: “Qendra historike e Gjirokastrës po ripërtërihet me shpejtësi në kuadrin e shpalljes së saj trashëgimi kulturore botërore. Në bashkëpunim me UNESCO-n qeveria shqiptare ka investuar rreth 200 milionë lekë dhe ju garantoj se do t’i rikthejmë të gjithë gjallërinë që ka pasur dhe meriton të ketë.”

Por krahas projekteve të përfunduar apo në zbatim kryeministri bëri publike projekte e reja për Gjirokastrën.  Këtu shquan ndërtimi i boshtit rrugor jugor.

Sali Berisha: “Ju jap fjalën që boshti i Jugut është projekti i të gjitha projekteve të mandatit që vjen. Brenda këtij mandati distanca Gjirokastër-Tiranë do të shkurtohet së paku me 80 deri 100 kilometër. Garantoj fermerët të kësaj zone, por të gjithë fermerët shqiptar se projektet më gjigande të ujitjes që ka njohur Shqipëria ndonjëherë do të realizohen 4 vitet që vijnë.”

Projekti i demokratëve për Gjirokastrën parashikon ndërtimin e rrjetit rrugor në të gjitha komunat e këtij rrethi apo dhe subvencionim të fermerëve. Për të gjitha këto kryeministri ftoi banorët të votojnë projektin e demokratëve. Një thirrje të posaçme kryeministri u adresoi qytetarëve minoritare si dhe emigrantëve shqiptare në Greqi.

Sali Berisha: “U bëj thirrje vëllazërore të përzemërt. Dua t’ju drejtoj sot socialistëve të Gjirokastrës le të bashkohemi në ëndrrën tonë evropiane. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të minoritetit të votojnë partinë Demokratike. U garantoj se investimet në katër vitet që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se këto të katër viteve që shkuan. Unë ju jap fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë që punojnë sot në tokat e vendeve të tjera, të vijnë në Shqipëri,  të punojnë në shtëpitë e tyre, të mbrothësojnë në shtëpinë e tyre. Në emrin tuaj le t’u drejtojmë një thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo që janë. Brenda vitit të parë me ju dhe njerëzit tuaj do lëvizim të lirë pa viza në mbarë Europën. Ejani më 28 qershor për të votuar për Shqipërinë evropiane, për Gjirokastrën evropiane. Vetëm Vjosa me 8 hidrocentralet e saj … dhe hidrocentrale të tjera do të punësojë dhjetëra mijëra punëtor të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë. 28 është një takim i madh, se pari takohemi me dhjetën, dhjeta është secili prej nesh, është Gjirokastra, është Shqipëria, është PD, është Europa blu që pret me padurim Shqipërinë blu të 28 qershorit.”…/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi