Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, ka sulmuar kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, që sipas tij abuzon në kurriz të tregtarëve të paguajnë qiratë e majme për të cilave përfiton vetë Qazim Sejdini. Reagimi i Bashës ka marrë shtysë nga ankesa e disa tregtarëve të cilat ankohen se qiratë e larta në pikat ku shesin po e çojnë drejt falimentit.

“Kjo është xhiroja ime. Ça bëj me këto, qysh thu. 160 i do baba”.

Lulzim Basha: Kush është baba?

“Qazimi. Kush vjen këtu te rruga varrezave mos pyet asnjë ne këtu kemi marrë fund. Dhe ai që është i majtë në shpirt këtu ka marrë fund dhe do të thoj votoj për demokratiken. Vetëm të ikim”.

Lulzim Basha: “Ka një grusht njerëzish që kanë përfituar nga lëvizja e tregut nga Namazqaja-këtu, me në krye kryetarin e bashkisë që është një bashkëpronar i këtij tregu. Duket qartë se këtu kemi të bëjmë me një model, pak a shumë si modeli i kryetarit të bashkisë Tiranës. Pasuron vetveten dhe një grusht njerëzish dhe varfëron të gjithë pjesën tjetër të biznesit të vogël. Dëshiroj nga ky treg të njoftoj sot iniciativën tonë për të mbledhur që nesër këshillin bashkiak të Elbasanit dhe për të vendosur para detyrimit kryebashkiakun Sejdini që të nis hapat për përmirësimin e situatës. Së pari duke i kërkuar uljen në nivel dysheme të qerave në këtë treg. Së dyti të fillojnë menjëherë hulumtimet për krijimin e një tregu alternativ në qendër të qytetit.

Kandidatët socialistë të qarkut të Korçës të kryesuar nga Ben Blushi kanë qenë në lagien 10 të këtij qyteti. Blushi i kërkoi votën korçarëve me për të hequr Sali Berishën që sipas tij nuk mbajti pjesën dërrmuese të premtime në këtë mandat.

Ben Blushi: “Në qoftë se Sali Berisha i ka hequr Shqipërisë një gjë kjo është puna. Shqiptarët sot janë më të papunë se kurrë, shqiptarët nuk punojnë sot. Nuk punojnë sepse gjithçka vjen nga jashtë, sepse nuk ka investime, sepse fshati është i varfër dhe qyteti është i papunë. Korça pret ditë më të mira dhe Korça di të kuptoj se për këtë duhet të votoj dhe në datën 28 qershor Korça di një gjë. Nuk do votojë Korça për Sali Berishën”.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është takuar me elektoratin e tij në rrethin e Mirditës. Ai tha se këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë pasi shqiptarët do të votojnë për të ardhmen e tyre.

Fatmir Mediu: “Votoni PR, votoni numrin 16. Data 28 qershor është dita e thirrjes së koshiencës sonë kombëtare, për të vazhduar si një komb i vetëm për të ardhmen, sot në NATO dhe nesër në BE. Është dita e ndërgjegjes sonë personale, sepse me votën tonë ne kemi shanse për t’i dhënë buzëqeshje fëmijëve tanë, për t’i dhënë mundësi prindërve tanë që të shijojnë së bashku me ne të sotmen dhe të ardhmen. Është shansi për të hedhur hapin e sigurt që ne të jemi pjesë e BE-së”.

Kryerepublikani Mediu tha se e djathta është shumë e ndjeshme ndaj çdo kërkese të qytetarëve shqiptar. Më tej ai renditi edhe një herë arritjet e qeverisjes së djathtë në këto katër vite. Në të ardhmen sipas Mediut prioritet do t`i jepet, arsimit, shëndetësisë, energjetikës dhe ekonomisë. Partia Republikane e ka trajtuar çështjen e pronës dhe e shikon zgjidhjen e saj si jetike për zhvillimin e vendit.

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka qenë në Shijak ku takoi të rinjtë e këtij qyteti. Punësimi ishte pika ku u ndal Klosi duke i mëshuar idesë se kjo mund të arrihet vetëm me largimin e kryeministrit Berisha nga pushteti.

Blendi Klosi: “Në 28 qershor do duhet të votojmë modelin e punës, modelin Edi Rama dhe do duhet të themi ndal gënjeshtrës të përfaqësuar më së mirë nga Sali Berisha, i cili para interesit të gjithë të rinjëve shqiptar ka vënë interesat e fëmijëve tij, sepse Sali Berisha erdhi ne pushtet para 4 vjetësh me qëllimin e tij të vetëm, pasuron dhe familjen e tij”…./tvklan.al