Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka qenë në Berat, ku ka vijuar prezantimin e “Planit për veprim”. Meta ka deklaruar se program i LSI-së do ta nxjerrë vendin nga kriza për t’i dhënë prosperitet.

Ilir Meta: “Ju duhet të votoni për LSI-në sepse kjo është rruga e sigurt që Berati të dalë nga varfëria, të dalë nga papunësia dhe të jetë në qendër të vëmendjes. Ju do të votoni për LSI-në në mënyrë që Berati të kthehet në një qendër të rëndësishme që lidh Shqipërinë e jugut me Shqipërinë e mesme. Në 28 qershor me votën tuaj  dhe me votën e gjithë shqiptarëve të nxjerrim në pension Sali Berishën, të sjellim në pushtet të majtën dhe LSI-në.”

Kryerepublikani Fatmir Mediu ishte i pranishëm në një miting elektoral në qytetin e Vlorës. Duke u shprehur i bindur në fitoren e 28 qershorit Mediu e cilësoi atë si fitoren e të gjithë Shqiptarëve të cilët bashkëpunuan për arritjet e mandatit të parë.

Fatmir Mediu: “Ne republikanët së bashku me ju, së bashku dhe me aleatët tanë nuk do të ndalemi në asnjë moment për të punuar të gjithë së bashku, për të realizuar ëndrrat dhe qëllimet tona të mëdha, aspiratat tona. Ne jemi nisur përpara për të qenë evropian dinjitoz, Vlorë dinjitoze, Shqipëri dinjitoze në BE. Ky është qëllimi ynë, realizimi i ëndrrës suaj.”

Gjatë fjalës së tij Mediu shtoi se forca politike që përfaqëson nuk do të ndalet asnjëherë në zgjidhjen e çështjes së pronës e cila ka qenë pjesë e pandarë e politikave republikane dhe që do të gjejë zgjidhjen përfundimtare gjatë mandatit të dytë. Në përfundim të fjalës së tij kryerepublikani tha se vota për partinë Republikane është vota për t’i dhënë zë përfaqësimit politik vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve.

….

Emigrantët mund të kthehen në Shqipëri me investimet e tyre edhe për një jetë më të mirë. Kështu është shprehur ministri Genc Ruli në një takim me emigrantët në Trikala të Greqisë.

Genc Ruli: “Si shqiptarë që jeni ende në listat e gjendjes civile, në listat e votimit në Shqipëri, të jeni edhe ju pjesë e marrjes së këtij vendimi të madh. Duke qenë votues në çdo qark, në Gjirokastër e deri në Shkodër ju keni të drejtë atyre që zgjidhen në parlament, përfaqësuesve tuaj, ministrave që do zgjidhen t’ju thoni ne duam dhe këtë ligj, ne duam dhe këtë ndihmë për arsimin, ne duam dhe këtë ndihmë për dokumentet dhe lehtësitë në dokumente.”

Kandidati për deputet për qarkun e Korçës, Ben Blushi ka zgjedhur të takojë banorët e lagjeve 11 dhe 12 të këtij qyteti duke trokitur derë më derë. Blushi gjatë bisedave ka vënë re varfërimin e korçarëve në 4 vitet e fundit. Kandidati socialist ka vizituar më pas të pastrehë që jetojnë në çadra.

Ben Blushi: “95%  e shqiptarëve sot po varfërohen duke paguar jo vetëm çmimet e larta, por korrupsionin e  Sali Berishës që po kthehet në … dhe babëzi dhe po vret njerëz siç e patë dhe në Gërdec. Në qoftë se dikush ulet sot që nga ai që është 5 vjeç deri tek ai që është 95 vjeç dhe bëjmë një provim të thjeshtë dhe u themi të dyve atij 5-vjeçari dhe ati 95-vjeçari të përshkruajë me 2 fjali kush është Edi Rama dhe kush është Sali Berisha, për Saliu do shkruajë që ky është ai që bëri ’97, për Edin do shkruajë ky është ai që bëri Tiranën dhe ne na duhet ai që bëri Tiranën sepse që bëri Tiranën mund të bëjë dhe Korçën, mund të bëjë dhe Shqipërinë.”

Elisa Spiropali: “Berisha premtoi se do të ulte TVSH-në në 20% në 17%, ai dështoi. Sot e në gjithë ditën TVSH ka mbetur në nivelin 20% dhe vazhdon të pengojë bizneset duke ndalur kështu krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat mund të ndihmonin në daljen e shqiptarëve nga varfëria…”/tvklan.al