Për komentatoren Sara Gjidiaj, e ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kombëtarja merr notën 4 dhe 10. Këtë të fundit për vështirësinë e grupit ndaj të cilit ra shorti ndërsa të parën për faktin që mund të kishte bërë më mirë.

Në shkallë individuale, ajo tha se lojtarë të kombëtares si Daku, Berisha dhe Hoxha meritojnë notën 10 për performancën e tyre në Europian. Nota pakaluese shkoi për Hysajn.

Sara Gjidiaj: Është përfolur shumë Hysaj, ajo është diçka njerëzore, nuk besoj se Hysaj e ka bërë qëllimisht, por nga ajo që ka dhuruar në këtë Europian, 4 shkon për Hysaj.

Gazetarja Trevisa Tufa vlerësoi me notën 10 portierin Thomas Strakosha ndërsa me 4 trajnerin Sylvinho.

Trevisa Tufa: Portier pa minuta, gjatë gjithë fazës kualifikuese luajti Berisha, shumë pak ka luajtur Strakosha kur nuk ka qenë Berisha dhe bën pritje fantastike, madje në fazën e grupeve ka qenë një nga portierët me më shumë pritje, pra një nga më të mirët. Mendoj që ai e ka ndihmuar shumë Shqipërinë, e ka shpëtuar të themi. Për 4 të them të drejtën nuk do të doja t’i vendosja dikujt sepse mendoj që secili mirë apo keq ka djersitur për atë fanellë, qoftë edhe Hysaj që tha Sara, mund të ketë bërë disa gabime por kemi parë një Hysaj në ndeshjen me Kroacinë që luajti shumë mirë, përtej golit të dytë që nuk duhet të ishte në vendin që ishte, e mori lojtari i Kroacisë përpara. Këto janë gjëra që ndodhin. Nuk dua t’i vendos 4, ndoshta 4 do t’i shkonte trajnerit Sylvinho për mënyrën e zëvendësimeve sepse ndoshta duhet t’i kishte bërë pak më herët, pak më shpejt. Ndoshta duhet të ishte një Arbër Hoxha nga fillimi sepse pamë në ndeshjen e Italisë që ndenjëm gjithë kohën prapa pas pësimit të golit të dytë, futet Arbër Hoxha në fushë dhe i jep prekjet e para të topit që çon skuadrën në sulm dhe dha përshtypje të mira, të futet ndaj Kroacisë shumë vonë kur duhet të ishte mendoj zëvendësimi i parë ose i dytë…se po flas kështu si profesioniste, por e thënë edhe nga vetë profesionistët, trajnerët e futbollit, trajneri ka gabuar./tvklan.al