Projekti i monitor i Ballkanit i realizuar nga Gallup ka publikuar të dhënat e një sondazhi, që flasin për sfidat me të cilat vendet e rajonit janë përballur gjatë vitit 2008.

Zhvillimi ekonomik, integrimi në BE dhe NATO, lufta ndaj korrupsionit, si dhe stabiliteti i rajonit pas pavarësisë së Kosovës janë çështjet ndaj të cilave 1 mijë intervistues kanë preferuar të ndajnë qëndrime të ndryshme.

Kosova si një faktor stabiliteti në rajon shihet me skepticizëm nga këto vende. 74% e serbëve shprehen negativ, ndërsa 17 % e serbëve të Kosovës besojnë se mund të jetojnë në paqe me shqiptarët. 61%  tyre pohojnë se pavarësia nuk do të pranohet kurrë.

Në Maqedoni dhe Mal të Zi 47% e të intervistuarve shprehen negativ, ndërsa 38% e kroatëve janë pozitiv. Futja në familjen europiane për qytetarët shqiptarë shihet si një datë e largët.

Të intervistuarit parashikojnë që vendi ynë të futet në BE në 2020, ashtu sikundër dhe kosovarët. Ndërsa maqedonasit janë më optimist kur pohojnë futjen në BE në 2013 dhe serbët në 2018.

Sonila Meço: “Kjo tezë e integrimit lidhet dhe me një fakt tjetër të një lloj dëshire që 83% e shqiptarëve vazhdojnë të kenë një dëshirë të madhe për t’u integruar, e pranojnë integrimin. Kjo sepse euro-entuziazmi ynë me sa shoh lidhet dhe me faktin tjetër, duket sikur e hollojmë dëshirën për t’u pranuar vetëm në disa premisa që lidhen me integrimin që përkthehet ndryshe si të ikësh jashtë Shqipërisë. Thënë ndryshe të vrapojmë për t’i ikur këtij realiteti dhe ne integrimin e duam përpara se Shqipëria të jetë gati për të hyrë në familjen europiane. Pak a shumë një premisë që ne na e bëri të mirëqenë edhe futja në NATO.”

Një tjetër çështje me rëndësi është dhe roli i qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. Në Shqipëri 32% e të intervistuarve flasin për raste korrupsioni ndaj nëpunësve shtetëror. Vetëm 29% e tyre besojnë se qeveria po bën diçka për të goditur këtë fenomen.

Në Serbi 54% e ryshfeteve u paguhen policëve, kurse në Shqipëri ky fenomen zë 50% të rasteve tek bluzat e bardha. Në lidhje me besimin tek partitë politike shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mosbesuese. Ashtu sikundër shfaqet një nivel akoma më i ulët besimi në sistemin e drejtësisë i cili në Kroaci zë 20% të rasteve. Në Bosnje-Hercegovinë 67% flasin për punë të dobët të qeverisë, ndërsa në Maqedoni 28% e tyre nuk gurojnë ta pohojnë një gjë të tillë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro