Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përfunduar procesin e intervistimit të kandidatëve për shef komisariati. 274 aplikantët për disa ditë më radhë u morën në pyetje nga komisioni i përbërë nga 3 anëtarë.

Në ditën e parë u pyetën 26 kandidatë dhe procesi u zbatua sipas rendit alfabetik. Secili nga kandidatët do të vlerësohet me pikët përkatëse. Deri të premten kandidatet kanë afat për të paraqitur ankesat.

Më pas do të jetë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do t’u besohet drejtimi i 48 komisariateve në vend. Emrat fitues pritet të shpallen javën tjetër.

Konkursi u hap më 31 Tetor të këtij viti, ku fillimisht shprehën interes 290 kandidatë. Pas verifikimit të tyre, 16 aplikantë u skualifikuan nga gara për mungesë dokumentacioni ose për shkak të emërimit në pozicione të tjera në radhët e policisë.

Gara për shef komisariati bëhet për herë të parë dhe vjen pas konkursit që u ndoq për caktimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të 12 drejtuesve të policisë në qarqe.

Klan News