Aksidentet rrugore jo shpeshherë ndodhin për faj të drejtuesve të automjeteve. Në shumë raste shkaktarë janë edhe këmbësorët. Por pavarësisht se ligji ekziston për gjobitjen e këmbësorëve, policia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.
Në emisionin “Opinion”, gazetarët e Tv Klan Spartak Koka dhe Erikleda Dorezi kanë zënë ngushtë përfaqësuesin e policisë për statistikat e gjobitjes së këmbësorëve.
Z.Skënder Ismaili tha se shifrat e gjobitjes së këmbësorëve janë të publikuara në faqen e policisë, por kjo gjë nuk rezulton të jetë e vërtetë pasi nga kontrolli në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit “asp.gov.al” nuk ka asnjë të dhënë për aksidentet.
Në fund të diskutimit, shefi i sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit u detyrua të pranojë se gazetarët kanë të drejtë dhe policia duhet të bëjë më shumë për gjobitjen e këmbësorëve.
Gazetarja Erikleda Dorezi: Pse nuk gjobiten dhe këmbësorët? Është në Kodin Rrugor!
Gazetari Spartak Koka: Para dy vjetësh, drejtori i Policisë Rrugore doli dhe tha ‘do të ketë plan masash për ndëshkimin e këmbësorëve’. Sa këmbësorë janë ndëshkuar sot?
Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Të dhënat që nxjerr sistemi i Policisë Rrugore janë të dhëna tepër të rregullta dhe të sakta për çdo ngjarje rrugore. Janë të publikuara.
Gazetari Spartak Koka: Ku janë? Ku janë në asp.gov.al? Futemi tani tek asp.gov.al, të futemi live? Duhet t’i publikosh z.Ismaili.
Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Lidhur me këmbësorët, janë numër shumë i paktë i këmbësorëve.
Gazetari Spartak Koka: Sa është?
Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Është shumë i paktë. Mund të jetë 3-4% i të gjitha ngjarjeve. Me futjen e sistemit të adresave, qytetarët ndëshkohen sipas rregullit.
Gazetari Spartak Koka: I keni vjelur këto gjoba që keni vendosur?
Skënder Ismaili, shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit: Po. Ai duhet të ketë një dokument identifikimi dhe nëse s’ka ai shoqërohet. Por, natyrisht z.Koka ka të drejtë që më shumë duhet të ushtrohet edhe në drejtim të këmbësorëve. /tvklan.al