Fatmir Mediu: prokuroria me dëshmitarët e vet nuk po japin asnjë të dhënë të re
Mihal Delijorgji, ish-administrator i firmës “Alba Demil” refuzoi të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”. Delijorgji shfrytëzoi të drejtën që i jep ligji për të mos dhënë shpjegime para togave të zeza.
Me propozim të avokatëve mbrojtës të Mediut, dhe konsensusin e avokatëve të viktimave të Gërdecit dhe Prokurorisë së Posaçme, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që të bëjë pjesë në fashikujt e dosjes deklarimet që Deligjorgji ka dhënë në vitin 2008, kur ishte i pandehur.
Në seancë nuk u paraqitën Anjola Agolli ish-sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Luan Hoxha dhe Denis Hajdari. Për këtë të fundit prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur, ndërsa për Agollin dhe Hoxhën të vijojë kërkimi.
Në seancën e të mërkurës, Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmisë së shtetasve amerikanë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi. Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” u caktua të mbahet më 9 Prill.
Klan News