Mazhoranca do të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të mandatit të saj qeverisës.

Me këtë bindje e ka nisur dialogimin e tij me të rinjtë e qytetit të Durrësit, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Sipas tij përmbushja e kësaj aspirate vjen si rezultat i kryerjes së reformave dhe plotësimit të të gjitha kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Gerti Bogdani: “Është një premtim që do të mbahet, sepse të gjitha premtimet e bëra më parë janë mbajtur. NATO ishte një gjë, ishte një premtim i tillë. Pra, ekziston tradita e premtimeve të bëra që këto janë premtime të mbajtura. Prandaj, është shumë e thjeshtë të thuash që liberalizimi i vizave këtë vit do të jetë i realizueshëm. Një nga kushtet kryesore që Shqipëria të vazhdonte me hapa të shpejtë procesin e integrimit evropian apo liberalizimin e vizave, ishin zgjedhjet e 28 Qershorit. I certifikuan të gjithë, u përmbushën kushtet dhe cilat janë këto? Është në radhë të parë regjistrimi i popullsisë. Pasaportat biometrike, një kusht tjetër shumë i rëndësishëm. Ndërkohë që sot kemi karta identiteti, ashtu siç e ka çdo vend tjetër evropian.”

I konceptuar në formën e një bashkëbisedimi synimi i kësaj nisme është përfshirja e rinisë shqiptare në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo nismë e ndërmarrë nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike do shtrihet edhe në qytetet e tjera./tvklan.al