Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza” që do të mbahet Majin e ardhshëm në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama thotë se ndihet shumë i kënaqur që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025.

Edi Rama: Jam shumë i kënaqur të të them se kemi marrë nga RCS Sport konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. Kjo nisje e garës është një traditë e re. Jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë shumë më të mëdhenj e sigurisht më të pasur dhe për të ju treguar vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë telespektatorëve në 200 stacione televizive në mbarë botën që transmetojnë drejtpërdrejtë. Jam shqiptari më i përshtatshëm për të prezantuar këtë ngjarje të madhe sepse i vetmi mjet që di t’i jap është biçikleta. Nuk di t’i jap makinës, helikopterit, por vetëm biçikletës.

Për 3 ditë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë do të kemi kaq shumë kampionë që do të jenë miq në vendin tonë dhe për të cilët do të flitet nga bota, por edhe për Shqipërinë që ka një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit. E dimë që në këtë ligë ka një konkurrencë të pabesueshme sepse konkurrojmë me vendet që janë të hapura prej shekujsh, kurse ne kemi vetëm 30 vjet e pak më tepër që jemi hapur. Shqipëria është një Itali e vogël, me këtë nisje të madhe, jemi vërtetë një Itali në anën tjetër të detit e cila mikëpret një ngjarje të madhe popullore ku të gjithë përfshihen dhe për ne është hera e parë fare, shpresoj që jo e fundit.

I pranishëm është edhe CEO i “RCS Sport”, Paolo Bellino, i cili ka thënë se një ndër arsyet pse është bindur për të zhvilluar këtë aktivitet është forca e tërheqjes së Kryeministrit Rama. Ai shton se nëpërmjet çiklizmit, do të “rrëfehet” e gjithë Shqipëria.

Paolo Bellino: Na ka bindur entuziazmi dhe forca e tërheqjes së Kryeministrit Rama. Ne besoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë. Vendi juaj është në rritje dhe do ta shihni nga imazhet që do të jetë një mundësi shumë e madhe për botën. Do të jemi këtë në 9 dhe 11 Maj, në 13 Janar do të prezantojmë xhiron e Italisë. Kemi 3 etapa. Çiklizmi është sporti më i mirë për të treguar jo vetëm një rrugë çiklistike, por edhe vendin mikëpritës. Pra, është jo vetëm rrëfimi i të gjithë Shqipërisë dhe do të kemi pamje të mrekullueshme. I gjithë karvani i çiklistëve do të jetë këtu. Do të kemi shumë njerëz dhe shumë mundësi. Spektakël i madh. 3 etapa që janë shumë të bukura dhe në Shqipëri kemi një larmishmëri të madhe.


/tvklan.al