Hetuesit kanë gjetur kutitë e zeza të avionit të kompanisë American Airlines, prej të cilave shpresojnë të hedhin dritë mbi shkaqet e aksidentit tragjik ajror të së mërkurës ku humbën jetën 67 persona.
Autoritetet amerikane thonë se kutitë e zeza përmbajnë informacione të rëndësishme, por një raport paraprak mbi bazën e të dhënave të tyre mund të publikohet për 30 ditë.
Janë hedhur dyshime se ka patur mungesë koordinimi të saktë nga kulla e kontrollit të aeroportit, pasi helikopteri ushtarak Black Hawk fluturonte në një lartësi mbi normën e lejuar në momentin e përplasjes. 24-orë para tragjedisë një rast i ngjashëm kishte rrezikuar një tjetër aksident ajror.
Ekspertët thanë për mediat amerikane se në regjistrimin zanor të publikuar, punonjësit e kullës së kontrollit u japin pilotëve të helikopterit shpjegime shumë të paqarta për rrugën që duhet të ndjekë.
Presidenti amerikan Donald Trump Trump u shpreh gjatë një konference për shtyp se ka mundësi që gabimi të ishte bërë nga ekuipazhi i helikopterit por se kjo do të zbulohej nga hetimet.
Trump u shpreh se administratat e mëparshme, të drejtuara nga Presidentët demokratë Barack Obama dhe Joe Biden, kishin ulur standardet për punësimin e kontrollorëve të trafikut ajror duke cituar nismat e qeverisë federale për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen.
Kur u pyet se si arrinte në përfundimin se nisma e diversitetit kishte ndikuar tek përplasja, ai u përgjigj “sepse kam gjykim të arsyeshëm bazuar në një perceptim të thjeshtë të situatës”.
Ndërkohë, në mesin e viktimave nga aksidenti i rëndë ajror janë gjithashtu shtetas nga Rusia, Filipinet dhe Gjermania, dhe media shtetërore kineze Xinhua raportoi se dy shtetas kinezë kanë humbur jetën në aksident.
Klan News