Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas epidemisë që shpërtheu në Laç, hepatiti viral A, ose vërdhëza ka prekur edhe Lezhën. Në pavionin e infektivit në spitalin rajonal të qarkut të Lezhës, që nga fillimi i muajit Shkurt dhe deri tani kanë marrë mjekimin spitalor rreth 50 fëmijë me verdhëz të moshave nga 4 deri 12 vjeç.

Aktualisht në këtë pavion gjenden të shtruar katër fëmijë, të cilët janë izoluar nga ekipi mjekësor për shkak të sëmundjes ngjitëse deri në shërim të plotë të tyre. Familjarët thonë, se fëmijët janë infektuar në shkollë.

Ndërsa drejtori i spitalit rajonal të Lezhës, doktor Kastriot Kolmarku shton, se që prej një muaji kur në spital janë paraqitur rastet e hepatitit viral A është kërkuar edhe higjienizimi i plotë i ambienteve shkollore, në mënyrë që kjo sëmundje ngjitëse të mbahet nën kontroll. Ai pohon se këto raste janë plotësisht nën kontroll brenda spitalit, në mënyrë që të shmanget epidemia, ndërkohë që pacientët e shtruar janë drejt shërimit.

Mjeku Kastriot Kolmarku:- Aktualisht në repartin infektiv ndodhen të shtruar 4 fëmijë, në gjendje të stabilizuar, pritet që ditën e hënë këtu të bëhet një kontroll me analiza dhe mundet që të shkojnë me mjekim ambulator në shtëpi, pasi gjendja e tyre duket e stabilizuar. Megjithatë, virulenca e Hepatitit A në rrethin e Lezhës, ka një rënie të konsiderueshme, duke e krahasuar me 10-15 ditë më përpara”.

Brenda kushteve spitalore në Lezhë, të gjithë pacientët e prekur nga verdhëza, janë kuruar me serume dhe kompleks vitaminash./tvklan.al