Teatri i Gjeniut të Vogël është pushtuar nga emocione të reja në javën e gjashtë të konkurrimit, ku 16 fëmijë, të ndarë si çdo herë në katër skuadra, kanë interpretuar këngët e përzgjedhura për këtë fundjavë.
Konkurrimi ka qenë tepër i fortë, ndaj largësia me pikë nga skuadra në skuadër ishte tejet e ngushtë gjatë gjithë kohës.
Vokalet e veçanta, interpretimet e shkëlqyera të fëmijëve të Gjeniut të Vogël, kanë përcjellë për publikun këngë të njohura shqiptare, duke rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve…
Por, programit të mbrëmjes së djeshme nuk i kanë munguar as përla të muzikës botërore, njërën prej të cilave “Padam Padam”, e mitit francez Edith Piaf, nga Arilena Ara.
Provën e producentëve e kaluan me sukses edhe këtë javë, Bruna Sata dhe Megi Bufi, me nga një këngë të përgatitur vetëm pak orë para spektaklit.
Edoardo Nevola, apo “Burri me pantallona të shkurtra” që bëri të qajnë një brez të tërë me interpretimin në filmin me të njëjtin titull, ishte i ftuari special i mbrëmjes.
Prezenca e tij në teatrin e Tv Klan kulmoi me të kënduarit shqip, bashkë me fëmijët e këngës, “Lulebore”.
Por spektaklit nuk i kanë munguar surprizat në këtë mbrëmje në vigjilje të Shën Valentinit, pasi këngëtarja e njohur kosovare, Genta Ismajli, pushtoi skenën me një nga hitet e saj më të njohura, një mbyllje e denjë bashkë me konkurrentët për t’i lënë radhën javës së shtatë dhe surprizave të reja të Gjeniut të Vogël./tvklan.al
Gazetare Irmna Toptani