Kur vjen puna te karriera, çfarë mund të themi për Robert Radonë… Prej 81 vitesh që i bie pianos, Radoja ka kompozime të panumërta që kanë hyrë në zemrën e çdo dëgjuesi.

Por ajo që bëri këtë të enjte në emisionin “Opinion” i përloti të gjithë. Robert Radoja luajti një pjesë që nuk e kishte bërë kurrë në publik në nder të mikut të tij, Vladimir Kapo, i cili nuk jeton më.

“Dikur kemi qenë edhe ne të rinj dhe kishim ëndrra të bukura. Ishim një brez që ishim 3 djem. Një ishte më i vogël që vdiq shumë shpejt në një aksident dhe një pianist, pedagog dhe tërë jetën më shumë kam ndenjur me këtë shokun tim pianist sesa me vëllain tim se ai kishte profesion tjetër. Ky quhet Vladimir Kapo, ka një vit që është ndarë nga jeta. Atëherë ne ëndërronim dhe donim t’i linim kujtime njëri-tjetrit të ndryshme. Unë kisha një mik, ju e dini emrin e tij që ishte dhe aktor, por më shumë regjisor, Serafin Fanko. Ai kishte shumë aftësi për të shkruar poezi dhe një ndjesi për strukturën muzikore. Bënte tekste këngësh të mrekullueshme. Edhe ne i linim. Unë i kam lënë një amanet, nuk i kam rënë kurrë në publik këtë që do loz tani, për këtë si vëllain tim, Vladimir Kapon që nuk jeton më”, tha Radoja./tvklan.al