Nisma e qeverisë për t’u krijuar kushte të barabarta për shitblerjen e tokës në vend edhe qytetarëve me origjinë shqiptare që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit me ata në Shqipëri shihet nga ekspertët e ekonomisë si një vendim pozitiv.
Sipas Gjergj Buxhukut, kreu i Konfindustrisë, në kushtet aktuale kur ekonomia ka nevojë për likuiditet kjo nismë ligjore është e mirëpritur.
Gjergj Buxhuku: “Konfindustria mbështet kërkesën e kryeministrit Berisha për të futur në tregun e tokës bujqësore edhe qytetarët jo shtetas të Shqipërisë, por me kombësi shqiptare sepse praktikisht është një lëvizje e duhur në këtë kohë që duhen likuiditete”.
Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë tha se në një të ardhme përfitues të kësaj iniciative do të jenë edhe shtetasit e Bashkimit Evropian që mund të blejnë toka në vendin tonë, por për Buxhukun në këtë pikë nuk duhet ngutur.
Gjergj Buxhuku: “Të jemi të kujdesshëm që një lëvizje e tillë të mos shtrihet për një periudhë kohe të caktuar edhe për qytetarët e vendeve të tjera jo me kombësi shqiptare. Këtu kam parasysh edhe faktin që sidomos vendet e Bashkimit Evropian duhet që të liberalizojnë sa me shpejt lëvizjen e lire të qytetarëve shqiptarë, pra t’i përgjigjen me të njëjtën monedhë veprimeve liberalizuese të qeverisë shqiptare”.
Sipas Ministrit të Bujqësisë hapja e tregut të tokës për të huajt duhet të ndodhë brenda 7 viteve në vijim, kjo në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit me Bashkimin Evropian./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro