Kredia prej 250 milion eurosh që qeveria mundi të sigurojë këtë javë nga disa banka ndërkombëtare është cilësuar si mjaft pozitive nga grupime të biznesit vendas.
Kryetari i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, është i mendimit se kredia do të përdoret me efikasitet për vijueshmërinë e investimeve madhore të infrastrukturës, përfundimi i të cilave do të sjellë përfitime shumë herë më të larta për vendin sesa kostoja e këtij borxhi.
Gjergj Buxhuku: “Marrja e këtij borxhi në këtë moment kohor kur tregjet financiare botërore, por dhe tregu financiar shqiptar është në vështirësi likuiditeti do të thoja që është pozitive. Në qoftë se ne do të marrim një borxh të tillë me orientim tërësisht të përcaktuar, pra edhe mbështetje buxhetore, por edhe orientim drejt projekteve të mëdha infrastrukturore siç është rruga Durrës-Kukës unë do të thoja që kemi një borxh të mirëstudiuar për faktin sepse investime të tilla të mëdha kapitale, infrastrukturore siç është rruga Durrës-Kukës do të kishin një kosto shumë herë më të rëndë në qoftë se do të liheshin në mes pa përfunduar.
Buxhuku shton gjithashtu se në kushtet e një situate të trazuar financiare norma e interesit e siguruar nga qeveria shqiptare është mese e pranueshme dhe e favorshme.
Gjergj Buxhuku: “Në kushtet e sotme kur tregjet financiare janë në vështirësi, kur kemi mungesë likuiditeti tërësore dhe bankat janë të frikësuara, flas në rang botëror praktikisht unë do të thoja që është i pranueshëm një borxh me normë të interesit sepse nuk mund ta gjesh më mirë”.
Një ditë më parë kreu i Financave deklaroi se kredia prej 250 milion eurosh së bashku me paratë e futura këtë vit në buxhet nga privatizimet janë një garanci më shumë për stabilitetin makroekonomik në vend, pavarësisht krizës që ka gjunjëzuar pjesën dërrmuese të ekonomive botërore./tvklan.al