Gjermania dhe Polonia duan t’i japin shtysë të re bashkëpunimit të tyre me një plan veprimi. Kjo thuhet në një dokument prej 40 faqesh për konsultimet ndërqeveritare gjermano-polake të publikuar nga qeveria gjermane.

“Vetëm së bashku mund të përballemi me sfidat globale të kohës sonë, vetëm së bashku mund të mbrojmë sigurinë e Evropës”, deklaroi kancelari Olaf Scholz në fund të takimit në Varshavë. Gjermania dhe Polonia janë tashmë “fqinjë të mirë, partnerë të ngushtë dhe miq të besueshëm”, por ata duan të “krijojnë një dinamikë të re” duke zgjeruar bashkëpunimin e tyre në shumë fusha, tha Scholz.

Kryeministri polak Donald Tusk tha se ai e sheh Gjermaninë si një forcë udhëheqëse “për sigurinë e përbashkët të Evropës, përfshirë Poloninë”.

Më shumë bashkëpunim në mbrojtje

Pjesa më e madhe e planit të përbashkët të veprimit merret me çështjen e mbrojtjes. Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të përkushtuara politike dhe ushtarake të Ukrainës. Për më tepër, Polonia, i cili kufizohet jo vetëm me Ukrainën, por edhe me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, ka marrë një rëndësi të re si shtet i vijës së parë të frontit.

Në dokumentin e përbashkët thuhet: Ne do të forcojmë ndërveprimin dhe standardizimin e aftësive tona mbrojtëse, do të rrisim aftësitë e prodhimit dhe do të nxisim investimet në industrinë tonë të mbrojtjes. Do të zhvillohen iniciativa të përbashkëta në fushën e armatimit dhe municionit. Bëhet fjalë edhe për rritjen e rezervave për pjesët për tanket “Leopard”, me të cilat të dyja vendet kanë furnizuar Ukrainën. Polonia dhe Gjermania duan gjithashtu të vazhdojnë forcimin e “shtyllës evropiane në NATO”, pasi ajo kontribuon ndjeshëm në potencialin parandalues të Aleancës.

Asnjë angazhim specifik për kompensimet

Plani nuk përmban ndonjë marrëveshje konkrete financiare për dëmshpërblimet e Luftës II Botërore. Tuski ka theksuar në të kaluarën se pret kompensim material dhe moral nga Gjermania për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Gjermania është e vetëdijshme për peshën e fajit të saj, për përgjegjësinë e saj për miliona viktimat e okupimit gjerman dhe për misionin që rrjedh prej tij”, tha Scholz-i në një konferencë të përbashkët për shtyp me Tusk-un. “Situata e viktimave të moshuara na prek shumë dhe do të marrim masa edhe në këtë drejtim”, deklaroi politikani i SPD-së. Megjithatë, Scholz nuk specifikoi se kur dhe sa kompensim do të jepet për rreth 40.000 viktimat e pushtimit gjerman të Polonisë, që janë ende gjallë.

Tusk: Së shpejti do të ketë ndihmë për viktimat e okupimit

Megjithatë, sipas Tuskut, ndihma e paralajmëruar duhet të jepet së shpejti: “Nuk është çështje vitesh, por muajsh”, tha kryeministri. Ndihma e premtuar nga qeveria gjermane për viktimat e okupimit do të shërbente për hapje të re në marrëdhëniet gjermano-polake. “Sepse gjestet e mira janë gjithashtu shumë të rëndësishme në politikë”, tha Tusku.

Vitet e fundit, qeveria nacional-konservatore e partisë PiS, e cila drejtoi Poloninë nga viti 2015 deri në 2023, i dëmtoi marrëdhëniet me tone antigjermane dhe kërkesa për dëmshpërblime që arrijnë në 1.3 bilionë euro. Që nga ndryshimi i qeverisë në dhjetor, toni nga Polonia është bërë më miqësor.

Vend kujtimi dhe tekst mësimor

Plani i veprimit përmend ndërtimin e një shtëpie gjermano-polake në Berlin, si një projekt në shërbim të pajtimit. Shtëpia synon të përkujtojë historinë e ndërlikuar gjermano-polake dhe pushtimin gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) dhe të krijojë një vend kujtimi për viktimat polake. Të dyja palët theksojnë rëndësinë e përfundimit sa më të shpejtë të kësaj ndërtese, siç tregohet në dokument. Të dyja palët gjithashtu marrin përsipër të përdorin si material mësimor librin shkollor të historisë gjermano-polake me titull “Evropa – Historia jonë”.

Scholz udhëtoi në Varshavë për konsultime qeveritare së bashku me dymbëdhjetë ministra federalë. Ishte hera e parë që ky takim mbahej që nga nëntori 2018./DW