Prokuroria e Posaçme doli në një njoftim pas arrestimit të Safet Bajrit (Rustemit). SPAK thotë se ai është arrestuar në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje që ka ndodhur në Gusht të vitit 2018.
Bashkë me Safet Bajrin në lidhje me këtë ngjarje është caktuar arrest me burg edhe për Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët ndodhen në qeli aktualisht për dosjen “Metamorfoza”. Prokurorët thonë se nga hetimet ka rezultuar se të tre ata kanë planifikuar dhe organizuar atentatin ndaj Licit. Ky i fundit është vrarë në shenjë hakmarrje pasi është i afërm i Ibrahim Licit.
Sipas SPAK, Behar Bajri ia atribuon vrasjen e Boran Bërçanës Ibrahim Licit e për këtë arsye i ka vrarë xhaxhanë.
Prokuroria e Posaçme i akuzon për “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Vrasja e Boran Berçanës
Ish-polici Boran Bërçana u vra më 15 Korrik të vitit 2018. Atentati mafioz u krye në makinën ku ai po udhëtonte me bashkëjetuesen, Silvi Ndoci në Shkodër.
Edhe kjo e fundit humbi jetën si pasojë e të shtënave. Në momentin e ngjarjes në sediljen e pasme të makinës “Benz” ka qenë edhe fëmija i tyre, por ai nuk u qëllua nga autorët.
Siç njoftoi policia asokohe, ndaj ish-policit dhe bashkëjetueses së tij u zbrazën plot 23 plumba nga një armë me selenciator.

Vrasja e Fatbardh Licit
Pa bërë një muaj nga vrasja e Bërçanës, mëngjesin e 10 Gushtit 2018 u vra Fatbardh Lici. Ndaj tij u shkrepën 15 plumba teksa po pinte kafenë e mëngjesit në një nga lokalet që ndodhen në Unazën Perëndimore të qytetit, e njohur si ish-Poçeria në Kiras.
Një person i maskuar iu afrua me shpejtësi Licit dhe sipas dëshmitarëve para se ta qëllonte mësohet se i ka thënë viktimës “të fala”. Fatbardh Lici është vëllai i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim Licit.
Sipas njoftimit të SPAK vrasja e tij ka lidhje me atentatin ndaj Bërçanës pasi Behar Bajri ia atribuon vrasjen e ish-policit nipit të tij, Ibrahim Lici.

Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici u arrestua në Shkurt 2024 në Stamboll pas 2 vitesh arrati sepse akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës. Familjarët e tij kanë mohuar përfshirjen e 31-vjeçarit në vrasje.
Interpol Tirana nisi procedurat e ekstradimit nga Turqia të Licit, por kjo nuk u bë e mundur pasi ai u arratis. Drejtori i Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj, tha gjatë emisionit “Opinion” në Nëntor 2024 se autoritetet turke e kishin lënë në arrest shtëpie dhe kur e kanë kërkuar në banesën që ai kishte lënë për rezidencë nuk e kanë gjetur pasi ishte arratisur.
Zërat për këtë gjë ishin shtuar shumë pasi në të njëjtën kohë u krye edhe ajo që njihet si “masakra e Dobraçit”. Nga ajo ngjarje mbetën të vrarë Arlind Bushati e Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit. Për këtë të fundit kishte dyshime se ka qenë i pranishëm në makinë në momentin e ngjarjes për shkak të disa videove të publikuara, por kjo nuk është vërtetuar ende. Si pasojë e kësaj ngjarje u vranë aksidentalisht edhe Bashkim e Flutura Basha që thjesht po kalonin me motor aty.

Përplasjet e fisit “Bajri”
Prej shumë vitesh pjesëtarë të fisit Bajri lakohen si me rrezikshmëri të lartë për shkak aktivitetit të tyre dhe përplasjeve me fisin Lici. 4 anëtarët e tij Enver, Safet, Ilir dhe Behar Bajri janë akuzuar për vepra të ndryshme kriminale, nga vrasjet, trafiku narkotikëve e deri tek gjobëvënia.
Safet Bajri u arrestua ditën e sotme dhe siç duket nga videoja në momentin kur është dërguar në bllokun e sigurisë në Tiranë, ai ka buzëqeshur para kamerave.
*Në video momenti i dërgimit në Tiranë të Safet Bajrit
Ndërsa Behar Bajri ndodhet aktualisht në arrest me burg për dosjen “Metamorfoza”. Ai u ekstradua në vitin 2023 nga Franca dhe akuzohet për vrasjen e Gjin Boriçit dhe porositjen e vrasjes së Ibrahim Licit e Dorian Dulit, ekzekutime që nuk u finalizuan.

Astmer Bilali ndodhet po ashtu në qeli i akuzuar për dosjen “Metamorfoza”. Ish-kampioni i boksit është arrestuar në të shkuarën si pjesë e “Bajrave” të Shkodrës. Ai është në hasmëri me familjen Lici në Shkodër.

Njoftimi i SPAK (21 Shkurt 2025)
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues.
Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur:
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; B.B; A.B dhe S.R kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit F. L, i afërm i shtetasit I.L. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B,
Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë./tvklan.al