Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Nuk ka prova që implikojnë Dritan Avdylin në vrasjen e bashkëshortes së tij Erieta Avdyli. Ishte kjo pretenca e mbajtur dje në Gjykatën e Lartë nga prokurori i çështjes Hysen Keta. Thënia e bujshme e prokurorit e cila vjen pas pesë muaj hetimesh u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit ka hedhur poshtë edhe kërkesën e bërë nga avokati i Dritan Avdylit, Hysni Beti, bërë në datën 11 Shtator.
Në rekursin e drejtpërdrejt nga Avdyli, i cili ndodhet në burg pa afat prej rreth pesë muajsh kërkon prishjen e këtij vendimi me pretendimin se është i pafajshëm. Dritan Avdyli, ish-shefi i komisariatit nr.1 të Tiranës, u arrestua në datën 13 Maj të këtij viti, disa orë pas gjetjes së trupit të masakruar të bashkëshortes së tij në fshatin Romanat të Durrësit, pas 45 ditë zhdukje.
Që prej datës 13 Maj Dritan Avdyli, mbahet në burg si i dyshuari i vetëm në vrasjen e bashkëshortes së tij. Ndërkohë asnjë seancë gjyqësore në Gjykatën e Faktit nuk është zhvilluar në lidhje me këtë çështje. Vetë Dritan Avdyli, i cili deklaron se është i pafajshëm e ka çuar çështjen për apelim në Gjykatën e Lartë, por asnjëra prej tyre nuk ka vërtetuar pafajësinë e tij. Ish-shefi i komisariatit vazhdon të mbetet i dyshuari i vetëm në vrasjen e bashkëshortes së tij Erieta Avdyli, e cila u zhduk në mënyrë të mistershme në fund të Marsit./tvklan.al