Të 43 emigrantët e transferuar disa ditë më parë në qendrën e pritjes së Gjadrit në Shqipëri do të kthehen ditën e sotme në Itali.
Korrespondenti i Klan News, Martin Marku raporton se emigrantët janë transportuar nga kampi i Gjadrit për në Portin e Shëngjinit mesditën e sotme me një autobus, të shoqëruar dhe nga karabinierët dhe po ashtu edhe nga Policia shqiptare.
Pritet që nga momenti në moment të bëhet nisja drejt shtetit fqinj të 43 emigrantëve që mbërritën të martën në Shëngjin.
Kjo erdhi pas vendimit të marrë pasdites e së premtes nga Gjykata e Apelit në Romë. Togat e zaza nuk i vërtetuan ndalimet e bëra nga autoritetet italiane. Ndërsa çështja do të dërgohet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Ky është vendimi i tretë i gjykatave italiane kundër qeverisë Meloni për dërgimin dhe mbajtjen në Gjadër të emigrantëve të paligjshëm.
Vendimi i parë daton në 18 Tetor dhe kishte të bënte me 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe egjiptianë të sjellë në qendrën e Gjadrit. Vendimi i dytë mban datën 11 Nëntor. Këtu përfshiheshin 7 të huaj, të gjithë egjiptianë dhe nga Bangladeshi.
Dërgimi i tretë i emigrantëve të paligjshëm u mor nga qeveria Meloni pasi gjykata e Kasacionit i dha të drejtë për përcaktimin e vendeve të sigurta për emigrantët, duke i dhënë fund debatit me gjykatat italiane për këtë çështje.
Por vendimi më i fundit i Gjykatës së Apelit të Romës riktheu edhe një herë përplasjet politike në Itali./tvklan.al