Gjykata e Romës bllokon sërish qeverinë Meloni për çështjen e emigrantëve të paligjshëm të strehuar në Shqipëri. Në një vendim të marrë këtë të hënë, seksioni emigracionit pranë kësaj gjykate ka pezulluar masën e vlefshmërisë së ndalimit të 7 emigrantëve të mbërritur me anijen ushtarake Libra të premten në Gjadër dhe ka urdhëruar kthimin e tyre në Itali.
Në vendim theksohet se policia italiane nuk veproi sipas ligjit, i cili parashikon që brenda 48 orëve të jepej konfirmimi i ndalimeve për emigrantët.
Njëherësh kjo gjykatë ka dërguar për interpretim në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian dekretin që qeveria Meloni nxori për ripërcaktimin e vendeve të sigurta.
“Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurt të origjinës përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, pa cenuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht – si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik – zbatimin korrekt të së drejtës së Unionit, e cila prevalon mbi ligjin kombëtar kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”.
Pas këtij vendimi, 7 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti të strehuar në qendrën e pritjes në Gjadër, duhet të kthehen në orët në vijim në Itali.
Ky është vendimi i dytë i po kësaj gjykate, pas atij të 18 tetorit, ku urdhëroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve të parë të mbërritur në Shqipëri, sipas marrëveshjes së firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, vitin e shkuar.
Ky vendim u ankimua nga qeveria Meloni në gjykatën e Kasacionit dhe u pasua me nxjerrjen e dekretit me fuqinë e ligjit për rifreskimin e listës së vendeve të sigurta. Pas vendimit të gjykatës së Romës reaguan zv/kryeministrat Salvini dhe Tajani, duke deklaruar se gjyqtarët po imponojnë linjën politike të qeverisë, në dëm të sigurisë së italianëve.
Tv Klan