Ish gardianët e burgut të sigurisë së lartë do të njihen me konkluzionet e prokurorisë në 21 korrik. Ata akuzohen për shkelje të rregullores së burgut dhe shpërdorim detyre. Vitin e kaluar në burgun 302 i mbiquajturi Gaxhai i dënuar me burgim përjetshëm bashkë me disa të dënuar të tjerë tentuan të arratiseshin pasi hapën një pjesë të murit në qeli.
Nga ekspertiza e paraqitur doli se muri ishte hapur gjatë 7 ditëve me levë hekuri dhe mjete të tjera të forta, kohë gjatë së cilës gardianët nuk kishin bërë asnjë kontroll në qeli. Shqyrtimi gjyqësor i provave u deklarua i mbyllur dhe trupi gjykues ushtarak do të dëgjojë konkluzionet përfundimtare të prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës të gardianëve.
Në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për trafik ndërkombëtar droge Arben Grori dhe Agron Tresa është zëvendësuar një nga anëtarët e trupit gjykues. Gjyqtari Martin Deda u zëvendësua nga kolegu i tij bujar Krasniqi, por dy të pandehurit dhe mbrojtja e tyre refuzuan vijimin e seancës me një gjyqtar që sipas tyre nuk e njeh dosjen.
Nesër Gjykata e Tiranës do të vendosë nëse çështja e Grorit do të gjykohet nga ky trup gjyqtaresh ose jo. Dhe ky proces është në fazën përfundimtare të shqyrtimit të provave./tvklan.al