Lajme Arkiva – TV Klan 2003
“E vrava vajzën time, për të qenë në rregull me fjalën e dhënë mikut”. Kështu është shprehur përpara policisë dhe prokurorëve babai i Fiqiretes, e vrarë dy ditë më parë në shtëpinë e saj në Bërxull. Banorë të Bërxullit tregojnë, se është parë një makinë duke lënë vajzën përpara shtëpisë.
Ali Lama:- “Thonë që ka qenë edhe një makinë pa targa atje poshtë shtëpisë. Atëherë ajo makina ka ikur thuhet, goca ka ardhur me u fut brenda”.
Por policia ka hetuar në lidhje me këtë fakt. Deri tani nuk rezultojnë gjurmë dhe të dhëna se vajza po kthehej në shtëpi nga një aventurë jashtë kurorës së lidhur vetëm me fjalë mes dy bashkëfshatarëve, për të martuar vajzën që banonte në Bërxull me një djalë emigrant në Angli. Mendohet se natën e krimit, babë e bijë janë zënë gjatë, vajza i ka treguar se nuk dot martohej me të fejuarin, madje dhe sikur ta detyronin, ajo s’ishte më vajza e premtuar për nuse.
“Nuk kisha vajzë tjetër në moshë, për t’i dhënë mikut për nuse ditën e dasmës”, ka thënë pas kësaj babai, i cili sipas zakonit duhet të dorëzonte të bijën të ndershme si nuse, ndryshe familja mbulohej nga turpi. Familja dhe fisi është mbledhur për ta qarë e varrosur vajzën, në këto momente ka mbërritur policia e sinjalizuar për të shtëna. Ndërsa 42 vjeçari ka pohuar, se e ka vrarë vetë duke dorëzuar dhe armën e krimit. Pasi forcat e komisariatit nr.4 i kanë vënë prangat, burri ka kërkuar të takohet dhe njëherë me vajzën, e më pas Ruxhdi Qinami ka hipur në furgonin e policisë.
Sot është sjellë në Gjykatën e Faktit për të marrë masën e sigurisë, burg pa afat. Prokuroria nuk ka mundur të marrë ende të marrë të plotë një dëshmi nga asnjëri nga anëtarët e familjes Qinami. Nëna e viktimës përveçse e shokuar nga ngjarja, ka në trup dhe shenja dhune të marra në momentet kur ka dashur të ndalojë të shoqin. Të shokuar janë edhe dy djemtë e mitur të familjes, ndërsa vetë burri gjatë dy ditëve në qeli me lot dhe britma ka mallkuar veten tashmë i penduar për vrasjen e kryer.
Të mbyllur në zi, vëllezërit në shtëpi dhe babai nën pranga tashmë i shmangen njerëzve dhe opinionit, jo nga turpi por nga dhimbja e zërave që pohojnë moralin e egër mesjetar./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj