Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Dritan Avdyli do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për vrasjen e bashkëshortes së tij Erieta Avdyli. Ish-shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë është sjellë përsëri sot në Gjykatën e Faktit me kërkesën e tij për zbutje të masës së arrestit në burg. Por në seancën me dyer të mbyllura, prokurori i çështjes Shkëlqim Gani, ka kërkuar që Avdyli, të qëndrojë në arrest burgu deri në përfundim të hetimeve. Edhe trupi gjykues përbërë nga gjyqtarët Stavri, Pasho dhe Mustafaji, kanë rrëzuar kërkesën e avokatëve të Avdylit për lirimin e klientit të tyre duke e cilësuar të pabazuar në prova.
Për të takuar Avdylin përveç shumë familjarëve të tij, sot në gjykatë ka qenë dhe djali i tij 9-vjeçar. At e bir kanë biseduar disa minuta së bashku para fillimit të seancës. Dy fëmijët e çiftit Avdyli pas vendimit të gjykatës për të qëndruar me kohë të barabartë tek gjyshërit nga nëna dhe tek ata nga babai, nuk janë gjetur nga përmbarimi për të zbatuar urdhrin mbi qëndrimin e tyre tek prindërit e Erietës. Sot Erdi ka qenë në gjykatë për të takuar të atin, i akuzuar si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes Erieta Avdyli./tvklan.al