Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Gjykata Kushtetuese është shprehur sot nëpërmjet drejtorit të marrëdhënieve me publikun Denar Bibën, në lidhje me debatin, nëse Ilir Meta ka kompetencat dhe mundësitë ushtrojë detyrën e Ministrit të Jashtëm pas mosmiratimit në parlament të Marko Bellos, si pasues i tij në këtë post.
Shqyrtimin dhe vendimin e dhënë nga kjo gjykatë në Janar të 2002, ku tre ministra të dorëhequr u njohën nga kjo gjykatë si ministra deri në emërimin e zëvendësuesve të tjerë, sipas Denar Bibës, nuk mund të merret si precedent për rastin Meta.
Denar Biba:- “Esencialisht dhe proceduralisht, janë dy situata krejt të ndryshme. Në atë kohë bëhej fjalë për mosmarrjen në shqyrtim nga Kuvendi, të dekretit të presidentit, i cili shkarkonte nga detyra tre ministra, duke mos u marrë në shqyrtim, nuk u prodhuan efekte juridike, kështu që për pasojë ministrat vazhduan në pozicionin e tyre, ndërkohë që aktualisht dekreti i presidentit, i cili liroi nga detyra me kërkesën e tij zotin Ilir Meta është marrë në shqyrtim nga Kuvendi, kështu që nuk mund të hiqen paralele ndërmjet dy situatave”.
Gazetarja:- A mund të ketë ky rast, një mundësi për interpretim nga Gjykata Kushtetuese dhe do ishte i gatshëm trupi gjykues në këtë moment pushimesh, ta merrte në shqyrtim në afatin e duhur?
Denar Biba:- “patjetër që gjykata brenda detyrimeve të saj mund të marri në shqyrtim çfarëdo lloj çështje e cila bie në juridiksionin e kompetencat e saj, por nuk besoj se ky është një rast i tillë”.