Pushohet gjykimi për 5 të akuzuar për shit-blerje votash

Gjykata e Dibrës ka kaluar për gjykim 4 prej të pandehurve të dosjes “184” të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie të Dibrës të vitit 2016, ndërsa ka rrëzuar ankimimin e PD-së për pushimin e çështjes për 5 të pandehur të tjerë.

4 të pandehurit që do të shkojnë tashmë në gjyq janë Robert Aga, ish-shef i komisariatit Dibër, Drini Gjeçi ish-drejtor i arsimit, Nuri Meda ish-administratori i Tominit, Hasan Hoti ish-administrator i Lurës dhe mbi ta rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe kanosjes së zgjedhësve.

Ndërkohë që Gjykata nuk ka marrë parasysh kërkesën e avokatëve që përfaqësojnë palën paditëse, Partinë Demokratike për ndryshimin e gjyqtarit të çështjes dhe atë për pushimin e gjykimit për 5 të pandehurit e tjerë: Korab Lala, Arben Keshi, Dionis Imeraj, Afrim Mikli, Bekim Krashi.

Avokati i palës paditëse tha pas seancës se gjykata dështoi të japë drejtësi. Sipas tij nxitimi i prokurorisë dhe gjykatës për të mbyllur këtë çështje është kriminal. Avokati Sefa tha se vendimi do të apelohet në gjykatën e apelit Tiranë.

Tv Klan