Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Asnjë nga të pandehurit e dosjes “Pasaporta” nuk kanë pranuar akuzën edhe gjatë deklarimeve të fundit, para se prokurorët t’i paraqesin gjykatës konkluzionet përfundimtare për këtë çështje. Ish-zv/ministri i Brendshëm Bujar Himçi tha, se disa nga firmat konkurruese për tenderin e pasaportave, kanë ndërhyrë deri në qeveri për ta fituar këtë tender.
Himçi veçoi firmën greke Euroget, për të cilën ai tha, se nuk i plotësonte kushtet si fituese dhe e cila u skualifikua që në fillim të procesit të tenderit. Presione nga firma amerikane Polaroid ka pasur gjithashtu, pohoi ish-numri 2 i Ministrisë së Rendit, duke përmendur ndërhyrjen e një diplomati të Ambasadës Amerikane, gjë që e ka pohuar edhe ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bilbil Mema, si dëshmitar i kauzës.
I pandehuri Himçi kundërshton me forcë edhe akuzën për falsifikim dokumentesh. Ndërsa ish-drejtori i Rendit Veli Myftari, i akuzuar për shpërdorim detyre, ka mbajtur të njëjtin qëndrim kundërshtues dhe po ashtu, ish-kreu i agjencisë së prokurimeve Arben Prifti, si dhe avokati mbrojtës i të gjykuarit në mungesë Edmond Aliaj. Ky i fundit, ka abuzuar sipas prokurorisë në dy tendera, atë të pasaportave dhe të karburantit./tvklan.al