Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Përballa, pranojnë përpara gjykatës se janë pronarë të anijes “Privilegj”, e cila u bllokua sipas autoriteteve të huaja në ujërat spanjolle me disa ton drogë. Frederik Durda dhe Arben Përballa thanë, se nuk kanë pasur qëllim të transportojnë drogë me këtë anije, por e përdornin atë për çështje biznesi.

Në dokumentet e sekuestruara nga shtetet e tjera, pronarë të kësaj anije janë Nikolla Papa dhe Arben Balla, përkatësisht të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Përballa. I pari sqaroi, se Nikolla Papa është emri i pagëzimit dhe se në shtetin ku ai ka blerë anijen, nuk ka pasur probleme të kishte në pronësi këtë anije me këtë emër. Ky i pandehur figuron në dokumentet e sekuestruara nga hetuesit edhe me emrat Aleko Papa, Aleko Durda etj.

Edhe gjatë seancës së radhës, prokurorët vazhduan me paraqitjen e fashikujve, të dosarit, prej 10 mijë faqesh para gjykatës, por njëri prej tyre, pikërisht ai që ka të bëjë me planin, për ngarkimin e 6 tonëve kokainë në anijen “Privilegj” dhe i firmosur nga prokurori i përgjithshëm i Maltës, nuk u morë parasysh, si provë nga trupi gjykues i çështjes.

Tashmë kanë mbetur edhe disa fashikuj të këtij dosari, për t’i dhënë fund depozitimit të provave, nga ana e prokurorisë. Dy ditë më vonë, mbushen plot dy vjet nga arrestimi i bujshëm i kryer njëkohësisht në 10 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, të të akuzuarve, si anëtarë të organizatës, që do të trafikonte sasinë e madhe të kokainës nga Kolumbia./tvklan.al