Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy avokatë njëri pas tjetrit kanë dhënë dorëheqjen, si mbrojtës të Sokol Koçiut brenda një seance. Në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për trafik kokaine, pritet të dëgjohej konkluzioni i prokurorëve të çështjes, ku do të shpreheshin dhe kërkesat për masën e dënimit ndaj Koçiut, Gjonajt, Hysit, Durdës dhe Përballës.

Avokati i Sokol Koçiut, Ardian Kasapi ka kërkuar të paktën tre javë kohë për t’u njohur me procesin gjyqësor. Ka cilësuar si të vlefshme shqyrtimin gjyqësor deri në momentin që trupi gjykues drejtohej nga Martin Deda dhe ka kërkuar të merren edhe njëherë në shqyrtim disa nga provat, kryesisht elementë të dëshmisë së Lidia Cestarit.

Avokati i Koçiut është shprehur, se një nga fotografitë e depozituara si provë në bazë të dëshmisë së Cestarit është marrë në Porto Palermo, në momentet kur Koçiu po i tregonte vendet ku do të kalonte malli tranzit. Sipas avokatit, kjo duhet të kalojë në një ekspertizë, pasi pavërtetësia e kësaj prove do të tregonte se Cestari ka bërë dëshmi të rreme.

Në lidhje me kërkesat e avokatit, trupi gjykues ka deklaruar se do të vendosë pas dëgjimit të konkluzionieve të prokurorëve dhe kjo ka bërë që avokati të japë menjëherë dorëheqjen nga mbrojtja e Koçiut.

Gjykata ka thirrur avokate Manushaqe Zhulalin për mbrojtjen e Koçiut, por avokatja pasi është paraqitur në sallë nuk ka pranuar të marrë në mbrojtje të pandehurin, duke i kujtuar gjykatës, të drejtën që ka ky i fundit, për të zgjidhur vetë një avokat, pas dorëheqjes së tij. Seanca është shtyrë për t’i lënë kohë Koçiut të përzgjedh një mbrojtës ligjor./tvklan.al