Lajme Arkiva 2003

Në një nga sallat e gjykatës së Tiranës u dëgjuan disa nga bisedat e përgjuara të paraqitura si prova nga prokurorët kundër të pandehurve për trafik ndërkombëtare heroine Arben Grori dhe Agron Tresa. Ky është procesi i dytë i drogës pas atij të kokainës ku si prova paraqiten përgjimet e siguruara nga autoritetet italiane.

Përgjimet e regjistruara në disa CD kanë të bëjnë me bisedat e zhvilluara mes Arben Grorit dhe Armando Bokës si edhe personave të tjerë që njihen si anëtarë të së njëjtës organizatë.

Nga 53 anëtarë të organizatës, të gjithë të arrestuar vetëm 2 gjykohen në Shqipëri Grori dhe Tresa ndërsa 51 të tjerët në Itali. Sipas akuzës autoritetet italiane kanë përgjuar me mijëra biseda por vetëm 800 e tyre do të paraqiten në Gjykatën e Tiranës.

Avokatët mbrojtës të të pandehurve, pasi dëgjuan përgjimet reaguan duke thënë se nuk kishte ndonjë provë bindëse se ato qenë zërat e të pandehurve Grori etj. Si dhe në asnjërën prej tyre nuk përmendej droga, por thjesht orare dhe vende takimesh. Me anë të përgjimeve prokuroria do të vërtetojë se drejtuesi i organizatës është Arben Grori dhe Agron Tresa.

Rol të dukshëm sipas akuzës kanë luajtur italianët Teodore Vita i njohur me nofkën Rino, Francesco i cili qëndronte në Shqipëri etj. Gjithnjë sipas pretendimit të akuzës nga kryerja e këtyre përgjimeve në Itali arritën të kapeshin 10 kilogram heroinë në Prill të vitit 2000.

Droga mësohet të jetë transportuar nga porti i Shëngjinit nga një korrier shqiptar i cili udhëtonte si anëtarë i ekuipazhit i anijes “Flaviola de la paz” drejt Italisë./tvklan.al