Bie çmimi i lojtarëve, “industria e topit” humbet 10 miliardë euro
Pandemia e koronavirusit po ndikon shumë në industrinë e futbollit. Qendra Ndërkombëtare për Studimet Sportive, CIES ka përpiluar një listë me futbollistë që aktivizohen në 5 ligat kryesore europiane, ku bien në sy zbritja drastike e vlerave të tyre në treg. Në rast se nuk zhvillohet asnjë takim deri në Qershor dhe nuk ka zgjatje të kontratave me futbollistët aktual, gjasat janë që vlera e 5 ligave kryesore të ulet më 28%, e përkthyer në shifra nga 32.7 në 23.4 miliardë euro.
Ekipet më të goditura janë ato të konsideruar të vogla, por edhe ato të mëdha. Francezët e Olimpik Marsejë janë klubi që do të humbasë më shumë nga kjo pauzë e kampionatit. Gjiganti i Ligue 1 pritet të humbasë rreth 97 milionë euro në vlerën e lojtarëve. Bum humbjesh do të pësojë Interi. Zikaltërit ndodhen në një situatë komode në kampionat, por ato që do të vuajnë janë arkat.
Klubi i menaxhuar nga Steven Zhang rrezikon të humbasë plot 276 milionë euro me vlerën e skuadrës që tashmë do të ulej në 497 milionë. Përhapja e koronavirusit godet fort edhe shpresat e Hellas Verona. Ekipi ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbull do të pësojë 34.3 % humbje dhe vlera e saj në total do të ulej në 23 mln euro.
Bayern Munich pritet të humbas terren në renditjen e ekipeve më të pasura në rruzull. Kampionët e Bundesligës kanë një vlerë prej 809 mln euro, por me fundin e sezonit aktual, vlera e saj mund të bie në 542. Dy gjigantët e La Liga, Real Madrid dhe Barcelona do të humbasin rreth 300 mln euro nga vlera e tanishme, aq sa dhe PSG që fundi i sezonit do ta dërgojë vlerën e skuadrës në 659 mln euro nga 961 mln.
Klan Plus