Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka kërkuar Izraelit që të garantojë sigurinë e paqeruajtësve të OKB-së në Liban pasi forcat izraelite qëlluan mbi bazat e organizatës në jug të vendit ndërsa kryejnë operacione kundër Hezbollahut.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (Unifil) raportoi se gjatë ditës së sotme, selia e tij në Naqoura u prek nga shpërthimet për herë të dytë në 48 orë. Të enjten, 2 paqeruajtës u plagosën kur një tank izraelit qëlloi mbi objektet e OKB-së në jug. Ndërkohë, 2 paqeruajtës të tjerë u plagosën në një shpërthim tjetër më herët gjatë ditës së sotme.
Për sulmet, forcat izraelite thanë se kanë goditur një bazë Unifil të premten pasi pretendojnë se identifikuan një kërcënimin kundër tyre aty pranë dhe menjëherë hapën zjarr. Ndërkohë, punonjësit e shpëtimit po kërkojnë nëpër rrënoja për persona të mbijetuar pasi dy sulme ajrore izraelite goditën qendrën e Bejrutit të enjten që shkaktuan 22 viktima.
Kryeministri i Libanit shprehet se personat e vrarë në sulmet e paparalajmëruara, ishin të gjithë civilë. Gjithashtu 117 persona kanë mbetur të plagosur. Nga ana tjetër, Izraeli ende nuk ka komentuar për sulmin vdekjeprurës./tvklan.al