Pas pauzës së kombëtareve, legjionarët kuqezi, janë kthyer të jenë protagonistë me skuadrat e tyre përkatëse.

Mirlind Daku ishte autor i dy golave, në fitoren e Rubin Kazan me rezultatin 3-0 në kampionatin rus, ndaj Akron Togliatti. Sulmuesi zhbllokoi takimin në minutën e 10-të dhe në të 20-ën dyfishoi rezultatin. Në fund, Daku u zgjodh lojtari i ndeshjes, me notën 9.5.

Kristjan Asllani luajti si titullar për Interin, në fitoren 5-0 ndaj Hellas Verona, me mesfushorin kuqezi që asistoi te goli i katërt i De Vrij.

Mario Mitaj ishte sërish protagonist me Al Ittihad. Mbrojtësi kuqezi asistoi në minutën e 58-të për Fabinhon, në fitoren 2-0 të skuadrës së tij ndaj Al Fateh

Cristian Shpendi vazhdon të shkëlqejë në Serinë B italiane. Sulmuesi kuqezi gjeti sërish rrugën e rrjetës në barazimin 1-1 të Cesenës ndaj Reggiana. Ky ishte goli i nëntë në kampionat për Shpendin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Alen Sherri, Elhan Kastrati, Arlind Ajeti, Amir Abrashi, Feta Fetai, Nedim Bajrami dhe Keidi Bare, ndërsa dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Marash Kumbulla, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Indrit Tuci dhe Arbnor Muja. /tvklan.al