Ragip Hajdini një nga 6 të arrestuarit për grabitjen e Rinasit është lënë në burg nga gjykata. 50-vjeçari nga Kosova i njohur me pseudonimin “Daja” ka mohuar përfshirjen e tij me ngjarjes. Pavarësisht këtij pretendimi gjykatësi Bib Ndreca ka vendosur ta lërë në qeli.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura Hajdini ka sqaruar se ka alibi se në datën 9 Prill, ditën e grabitjes ka qenë duke drekuar në Kavajë. 50-vjeçari ka sfiduar Prokurorinë duke u shprehur se nëse i gjendet një prove ai është i gatshëm të rrijë në burg përjetë, ndërsa kërkoi ballafaqim me Alkond Bengasin.
“Unë njoh Aleksin, vëllain e Admir Murataj që e kam takuar në Gjermani rreth 15 vite më parë. Kam hyrje-dalje familjare me Muratajt dhe kam qenë në varrimin e Admirit bashkë me miq të tjerë që erdhën nga Kosova. Jam njohur me ngjarjen rreth një javë më parë kur në skenë doli emri “Daja” por duke qenë se jam i pastër nuk lëviza nga Shqipëria. Prej nëntorit nuk kam dalë nga territori i Shqipërisë. Jam i gatshëm të vendosem para autoriteteve dokumente për të ardhurat e mia dhe të familjes time. Dua të ballafaqohem me personin i cili më akuzon”.
Hajdini është pyetur edhe për furgonat të cilët u përdorën në grabitje, duke qenë se vinin nga Kosova, por edhe për ato ka mohuar të ketë lidhje. Hajdini u arrestua të premten nga policia në zonën e shkëmbit të Kavajës në një aksion të mbajtur sekret. Ai është identifikuar nga dëshmia e Alkond Bengasit i cili e ka cilësuar si një nga personat që ka pasur dijeni për grabitjen. Sipas dëshmisë së 34-vjeçarit ai e ka parë Hajdinin 10 ditë para ngjarjes në shoqërinë e Admir Murataj dhe Klement Çalës dy personat e dyshuar si organizatorë të grabitjes.
Tv Klan