Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sekretari i Përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, njëri nga njerëzit e rëndësishëm në bazën e PS, fillimin e konfliktit Nano-Meta, nuk e sheh si një faktor, që të çon në krizë. Ruçi rikonfirmoi, se letra e zv/kryeministrit Meta dërguar kryeministrit Nano, do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, por që për të tilla probleme apo opsione të anëtarëve diskutohen në çdo mbledhje.

Gramoz Ruçi:- “Sigurisht në një mbledhje forumi partie, çdo herë diskutohen probleme të ndryshme, apo shqetësime, apo opsione të ndryshme që kanë anëtarët e kryesisë. Sigurisht që është normale, unë nuk merrem, nuk do të thosha që do të diskutohet letra, unë do të thosha që është e drejtë e çdo anëtari të kryesisë pa përjashtim dhe në veçanti dhe e opsionit që ka zoti Meta, lidhur me vërejtjet që ka bërë në këtë letër, që unë do t’i quaja disa probleme, që do të trajtohen në çështje të ndryshme të trajtimit që do të bëjë mbledhja e kryesisë së partisë dhe unë nuk dua të paragjykojë përfundimet e kësaj mbledhje, por sigurisht që besoj, që kjo mbledhje do të jetë një mbledhje në kuadrin e solidaritetit, për të forcuar solidaritetin e brendshëm të strukturave të partisë”.

Gazetarja:- A ndani të njëjtat shqetësime me ato që zv/kryeministri Meta ka hedhur në letër.

Gramoz Ruçi:- “Problemet që ka hedhur zoti Meta dhe të tjera, nuk janë probleme, që konstatohen për herë të parë dhe janë një zbulim i radhës, kështu që unë nuk shikojë asnjë gjë që të përbëjë shqetësim politik dhe aq më tepër për stabilitetin politik të vendit dhe efektivitetin e qeverisjes socialiste”.

Përsa i përket ndryshimeve në qeveri përpara zgjedhjeve, sekretari i përgjithshëm i PS, nuk paragjykon bërjen apo mos bërjen e tyre në këtë periudhë.

Gramoz Ruçi:- “Këto nuk përbëjnë një precedent, për të vënë në pikëpyetjen qeverisjen e mazhorancës socialiste. Përsa i përket anës tjetër të ndryshimeve, unë nuk mund të paragjykojë as bërjen, as mos bërjen e tyre, pasi unë ndryshimet i shikojë në normalitet të plotë”.

Gazetarja:- Ju keni deklaruar, se jeni parti e hapur, pranoni dhe mendimin ndryshe, mendimin kundër.

Gramoz Ruçi:- “Mendimi ndryshe ka qenë prezent periodikisht në gjirin e PS, megjithatë asnjëherë s’ka pasur as përçarje në PS, as prerje kokash në PS. Gjykoj dhe mendoj përsëri njësojë, që vlerësimet e radhës, apo mendimi ndryshe i radhës, përsëri do t’i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të PS”.

Në këtë periudhë përpara zgjedhjeve lokale, PS është duke formalizuar problemin e aleancave me aleatët. Muajin e ardhshëm gjithashtu do të përzgjidhen dhe kandidatura për zgjedhjet lokale. Mandej socilistët do të bashkojnë energjitë e tyre për kongresin, i cili do të mbahet në muajin Dhjetor./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti