Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Partia Socialiste nuk ka ndërmend të ndryshojë përbërjen e KQZ, për hir të kontestimeve të opozitës. Sipas sekretarit të përgjithshëm Gramoz Ruçi, opozita duhet edukuar që të respektojë Kushtetutën dhe ligji për KQZ është zbatuar më së miri sipas tij.
Gramoz Ruçi:- “Pasi dy veta janë të propozuar nga pozita, dy janë të propozuar nga opozita dhe tre të tjerët janë përcaktuar nga institucionet kushtetuese, që është KLD dhe Presidenti i Republikës. Pra nuk bëhet fjalë për disbalancim të KQZ. Prandaj çdo gjykim dhe vlerësim në kundërshtim me realitetin e përmbushjes së detyrave institucionale është jo demokratike, jo institucional dhe jo frutdhënës për procesin zgjedhor”.
Gazetarja: Kjo do të thotë që PS nuk do t’i lëshojë asnjë pe opozitës?
Gramoz Ruçi:- “S’ka se çfarë t’i lëshojë partia, duhet të mësohen të gjithë shqiptarët dhe media duhet të ushtrojë presionin e saj, që në këtë shtet të zbatohen ligjet e shtetit dhe Kushtetuta e vendit. Unë nuk e kuptojë që Kushtetuta apo ligjet e një vendi mund te zbatohen nga dashja apo mos dashja e kujtdo subjekti politik, opozit apo mazhorancë qoftë kjo”.
Një ditë më parë, kreu i OSBE-së Lipponen në një intervistë për TV Klan, deklaroi se mosbalancimi i KQZ krijonte problemet e tjera siç ishte psh. akti-normativ mbi policinë e shtetit. Në këtë pikë PS do të bashkëpunojë me partinë më të madhe të opozitës. Gramoz Ruçi do të takohet me Bamir Topin para datës 2 Tetor, ku në prani të ambasadorit të OSBE, do të pranojë të gjitha sugjerimet e selisë blu për çdo nen të aktit-normativ.
Gramoz Ruçi:- “Duhet bërë një ndryshim, përshtatur me forcat dhe efektivin që ka Ministria e Rendit. Në këtë këndvështrim asnjëherë s’është vonë për të reflektuar dhe ne jemi të hapur, që mjafton të zhvillohen zgjedhje të hapura e demokratike të pranuara nga opozita dhe nga pozita dhe ne jemi të hapur që të bëjmë çfarëdo lloj propozimi, mjafton që policia të ruajë dhe të sigurojë qendrat e votimit dhe rendin e qetësinë ditën e votimit”./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj