Greva disaditore e doganave greke duket se nuk do të ketë një ndikim shumë të madh në ekonominë shqiptare, e konvertuar kjo në mungesë produktesh apo në rritje çmimesh për tregje.
Nisur kjo dhe nga fakti që përveç shtetit Helen vendi ynë ka shkëmbime tregtare si në nivele eksporti ashtu edhe importi me të gjithë vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
Sipas kreut të Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, efektet do të jenë të lehta dhe mund të shoqërohen për një periudhë disaditore me një ngritje jo të madhe të çmimeve.
Kjo për z.Buxhuku vjen si pasojë e bllokimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore deri në përfundim të grevës së doganierëve grekë, e dyta brenda pakë javëve.
Gjergj Buxhuku: “Duke pasur parasysh strukturën e tregtisë që Shqipëria ka me Greqinë unë mendoj që dëmi që do t’i vijë ekonomisë shqiptare nga greva e doganierëve grekë do të jetë relativisht i kufizuar. Është e vërtetë që për një periudhë afatshkurtër, përveç këtë strukturë që ne kemi sot të tregtisë do të kemi disa problem në furnizimin me produkte agro-ushqimore, që mund të pasqyrohen në treg me një, ta quajmë, me një rritje çmimesh, ose mungesa në treg”.
Por pavarësisht kësaj z.Buxhuku thotë se ky është momenti për të reflektuar në lidhje me fuqizimin në treg të prodhimit vendas, i cili konkurrohet nga ai që vjen nga shtetet fqinje.
Gjergj Buxhuku: “Mbase duhet shfrytëzuar ky moment për të mirën dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Tregtia ose importet që Shqipëria bën me vendet e tjera të mos jenë të monopolizuara vetëm në një vend. Është moment për të parë me përgjegjshmëri dhe për të shfrytëzuar këto konjuktura të cilat nuk janë krijuar me dashjen tonë, por që cilat janë konjuktura që duhet të kihen parasysh në përgjithësi, që ajo që Shqipërinë realisht e zhvillon është prodhimi vendor, bujqësor dhe industrial”.
Ajo që mund të thuhet me siguri se mes vendeve të rajonit partnerët tanë kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.
Vetëm një vit më parë referuar dhe Institutit të Statistikave me shtetin helen, eksportet zinin 7.5% dhe importet 17.7%./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro