Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj ka paraqitur ndryshimet për provimet e maturës shtetërore për vitin 2010, duke synuar kështu përafrimin me standardet evropiane.
Duke nisur nga ky vit maturantët për t’u pranuar në shkollat e larta nuk do të plotësojnë më formularët A3 dhe A4, duke thjeshtësuar kështu dhe procedurat.
Myqerem Tafaj: “Si formulari A3 ashtu dhe formulari A4 nuk ndihmojnë maturantët, një numër shumë të konsiderueshëm maturantësh për t’u përfshirë, për të marrë një vend studimi, përkundrazi e zgjasin shumë procesin e pranimit në shkollat e larta, çka vështirëson zhvillimin normal të mësimit në universitete”.
Gjithashtu këtë vit ndryshime do të ketë edhe sistemin e korrigjimeve të provimeve , i cili tashmë do të bëhet nga 4 mësues.
Myqerem Tafaj: “Korrigjimi nga dy mësues, ky është korrigjimi i parë dhe në rastin ku diferenca në vlerësim midis dy vlerësuesve është e ndjeshme, përgjegjësi i grupit të korrigjimit përfshin një korrigjues të tretë, pra bën një vlerësim të dytë të testit dhe në fund çdo test është i certifikuar nga tre korrigjues dhe përgjegjësi i korrigjimit, pra nga katër mësues”.
Duke filluar nga ky vit në të gjitha shkollat e mesme të vendit do të bëhet Dita e Këshillimit të Karrierës, e cila parashikon konsultime mes mësuesve nxënësve dhe prindërve përpara provimeve të maturës./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi