Kryeministri Berisha priti në ambientet e Kryeministrisë një grup arsimtarësh, në një ceremoni festive për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.
Duke shprehur fillimisht mirënjohjen për mësuesit e tij ndër vite dhe duke vlerësuar rolin e arsimtarëve, kreu i qeverisë garantoi se misioni i tyre mbetet prioritet themelor i qeverisë së tij dhe arsimi qëndron në krye të agjendës së ekzekutivit.
Sali Berisha: “Mirënjohja ime e parë shkon tek mësuesit e mi. Që nga klasa e parë gjer në vitin e fundit në fakultet. Dua t’ju garantoj se për qeverinë time, arsimi ka qenë dhe do mbetet përparësia më madhore. Dua t’ju garantoj se procesi i ndërmarrë katër vite më parë, për një arsim modern në Shqipëri, për një arsim që të përmbushë të gjitha detyrimet e formimit demokratik, të edukimit të nxënësve, të lartësimit të dijeve të tyre, nuk do të ketë të ndalur. Në këtë proces, njëlloj si në fillim edhe sot, ne në epiqendër do të mbajmë arsimtarin.”
Nga ana e tyre, mësuesit i shprehen mirënjohje kryeministrit Berisha për hapat e bërë në konsolidimin e figurës së arsimtarit gjatë këtyre viteve dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, që sipas tyre i kanë dhënë hov të rëndësishëm sistemit arsimor në Shqipëri.
Kryeministri Berisha theksoi faktin se vetëm nëpërmjet arsimimit dhe ndryshimit të tij, shoqëria shqiptare do të mund të ndahet me shpejtësi nga prapambetja shekullore që ka trashëguar ndër vite.
Një arsye kjo mese e vlefshme për shefin e ekzekutivit, që mund të bëjë të mundur zhvillimin me përgjegjësinë më të madhe të garës së dijes./tvklan.al
Gazetare Jolldiz Mitro