Lajme Arkiva 2004
Pas protestës së madhe të zhvilluar dje në qytetin e Durrësit, 2200 grevistët e hekurudhave shqiptare kanë protestuar në Tiranë.
Të nisur nga stacioni i trenit sindikalistët dhe punonjësit e hekurudhave i janë drejtuar Ministrisë së Transportit ku kanë qëndruar vetëm për pak minuta dhe më pas janë zhvendosur përpara Kryeministrisë.
“Kërkesat tuaja janë të drejta dhe legjitime. Kërkojmë nga kryeministri shqiptar zoti Fatos Nano, të ulin ministrin e Transporteve me sindikatën dhe transportin hekurudhor për të zgjidhur kërkesat e tyre”.
“Greva është shumë e ligjshme. Greva do të zgjasë deri kur ministri i transporteve të negociojë me sindikatën e hekurudhave me përfaqësues titullarë dhe të shkojnë drejt punës dhe drejt stabilizimit duke plotësuar kushtet këtyre sindikalistëve dhe këtyre punonjësve në shkallë republike”.
Greva e transportit hekurudhor ka nisur 17 ditë më parë e iniciuar nga sindikata e transportit. Kjo grevë po i kushton shtetit shqiptar miliona lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave e cilëson këtë grevë të paligjshme dhe i ka hedhur në gjyq sindikalistët.
Në seancën e parë gjyqësore zhvilluar në fillim të kësaj jave në Gjykatën e Durrësit nuk u arrit të merrej asnjë vendim, ndërkohë që seanca e ardhshme është zhvendosur për ditën e hënë dhe ndërkohë që pritet vendimi i gjykatës, grevistët kërcënojnë për protesta masive në të gjithë vendin./tvklan.al