Gripi AH1N1 ka shënuar dhe rastin e parë më simptoma tepër të rënda. Ndërsa numri i te prekurve ka arritur në 96.

Një i ri 31-vjeçar ka qëndruar për dy ditë në gjendje kritike në Sanatoriumin e Tiranës. Aktualisht ka përmirësime dhe mbahet në një kontroll të rreptë mjekësor.

Pëllumb Pipero: “Kemi marrë masa do thosha të menjëhershëm për trajtimin profesional, për aplikimin në kohë dhe në doza të dyfishta të Tamiflus ashtu siç rekomandohet në këto raste dhe fatmirësisht ai sot është më mirë gradualisht po del nga situata dhe kjo na gëzon shumë, sepse nuk duam që të kemi vdekje që nuk e përjashtojmë dot. Shpresoj dhe dëshiroj që ky rast të vazhdoj të kaloj mirë”

Virusi pandemik po përhapet me ritme të shpejta në të gjithë vendin. Në dy ditët e fundit janë identifikuar nga laboratori i ISHP, 20 raste të reja. Specialistët përllogarisin se çdo ditë dy persona infektohen nga virusi A H1N1.

Pëllumb Pipero: “Numri i rasteve të konfirmuara po rritet dita ditës. Ky numër është 96, pra janë 20 raste të reja të konfirmuara. Këto 20 raste nuk janë raste të dy ditëve të fundit përkundrazi, por janë raste të analizuara dy ditët e fundit për shkak të kapaciteteve të laboratorit të virologjisë në ISHP-n. ritmi i përhapjes së virusit A H1N1 shkon mesatarisht 1 apo 2 raste çdo ditë të reja”.

Sipas specialisteve të Ministrisë së Shëndetësisë, rastet e reja të gripit pandemik të identifikuar në dy ditët e fundit, nuk u përkasin shkollave apo institucioneve publike, por janë sporadike dhe pa lidhje me njëri-tjetrin./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami