Spitali infektiv në Qendrën Spitalore Universitare pret çdo ditë mbi 100 urgjenca që kanë shenja klinike të ngjashme me gripin pandemik AH1N1, por ky numër rastesh gjithmonë në rritje vlerësohet si normal nga drejtori i QSUT-së.

Ilir Dashi: “Nga java e dytë e muajt nëntor konstatohet se ka një shtim të fluksit të rasteve grip ngjasues. Mesatarisht nga 18 raste në ditët e para në 50 -60 raste në ditët e mëvonshme dhe deri në 110 raste në ditët në vazhdim.”

Shefi i shërbimit infektiv shprehet se nga rastet e paraqitura me shenjat e gripit rreth 50% identifikohen me grip pandemik ndërsa nuk kanë munguar dhe rastet e rënda.

Dhimitër Kraja: “10-15% e rasteve që paraqiten çdo ditë shtrohen dhe prej këtyre raste të rënda ose shumë të rënda janë një përqindje shumë  e vogël që lëvizin 0.2-0.5%. Në javën e fundit kemi pasur rreth pesë raste të rënda nga të cilat tre janë menaxhuar me ndihmën e reanimacionit të përgjithshëm kirurgjikal këtu, dy të tjera janë në reanimacionin tonë, të gjithë janë praktikisht raste që janë ende gjallë, katër prej tyre janë n gjendje tashmë të dalë, njëri është në kurim akoma intensiv.”

Aktualisht shërbimi shëndetësor po zbaton planin B të emergjencës së gripit AH1N1 që sipas specialistëve do të thotë situatë normale.

Ndërsa po përgatiten për planin C të kësaj emergjence e cila do të thotë shtim i shtretërve jo vetëm në shërbimin infektiv, por në të gjitha godinat spitalore./tvklan.al

Gazetarja: Brunilda Cami