Vaksina e gripit A H1N1 nuk do të tregtohet në farmaci. Zëvendësministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj në një intervistë për televizionin Klan deklaroi se vaksina e gripit të derrit do të jepet vetëm për grupet e caktuar tashmë nga ky dikaster. Ajo do të injektohet falas dhe nuk do të jetë në treg të lirë.
Arben Ivanaj: “Ne besojmë që në gjysmën e dytë të tetorit dhe fillim të nëntorit të kemi dhe në vendin tonë sasinë e mjaftueshme të vaksinës. Kemi planifikuar për afërsisht 300 mijë doza vaksinale të cilat duhen të sigurohen për grupin më të rriskuar të popullatës. Por nuk e besoj që vaksina të jetë në tregun e lirë, por edhe një fakt të thjeshtë nga ana sasiore nuk do të ketë vaksinë që do jetë në tregun e lirë.”
Pavarësisht se jo të gjithë do të vaksinohen, studiuesit e huaj kanë verifikuar se virusi i gripit AH1N1 nuk pëson mutacion me viruse të tjera. E për pasojë situata gripale në muajt e ardhshëm pritet të jetë e njëjtë. Gripi do të prek më shumë persona, por nuk do të ketë agresivitet.
Arben Ivanaj: “Një ekip i Universitetit të Merilendit, praktikisht kanë vërtetuar tashmë që ky virus në kontakt me viruset e tjera nuk ndryshon formë, nuk bëhet më virulent apo më pak virulent. Pra kemi larguar një pjesë të madhe të asaj frikës që kishim kur thonim përpara që nuk e dinim se çfarë do të japë në kontakt me virusin nga gripi i zakonshëm.”
Përsa u përket analizave, që prej mesit të tetorit do të kryhen në laboratorin e ISHP-së dhe jo më në laboratorin e referencës në Rumani./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami