Në prag të çeljes së vitit të ri akademik mjekët e shkollave të arsimit parauniversitar kanë marrë udhëzimet e fundit nga strukturat shëndetësore për mbrojtjen nga virusi i gripit AH1N1. Specialistët e shëndetësisë iu kanë kërkuar mjekëve të informojnë nxënësit në lidhje me simptomat e gripit, dhe të jenë të kujdesshëm në monitorimin e situatës.
Gazmend Bejtaj: “Meqenëse ky infeksion përhapet në rrugë ajrore, pra përmes spërklave, është shumë e rëndësishme që rregullat e higjienës personale dhe kolektive, të jenë në nivele më të larta të mundshme. Çdo individ duhet të mbulojë fytyrën kur teshtin apo kollitet, duhet të përdorë facoletën, ta hedh facoletën koshin e plehrave dhe ta ndërrojë shpesh, të lajë duart sa herë kollitet teshtin apo sa herë që prek hundën, gojën, fytyrën. Të jetë i kujdesshëm dhe ndaj shoku, shoqe që konstatohet që ka shenja sëmundje.”
Specialistët kërkojnë që mësuesit dhe vetë nxënësit të izolohen në shtëpi dhe të kërkojë ndihmën mjekësore nëse konstatojnë shenja të gripi. Përsa i përket vaksinës, Bejtaj u shpreh se janë vënë në dispozicion mbi 3 milion dollarë për prokurim vaksinash, ndërkohë që po bëhen negociata me kompanitë farmaceutike për të sjellë vaksinën në kohën më të shpejtë të mundur./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami