Guximtar Boci, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, i pezulluar të premten nga KLD-ja i hedh poshtë akuzat e bëra ndaj tij nga Rudina I. në emisionin investigativ “Stop”.

Në një intervistë për të përditshmen “Panorama”, Boci thotë se gjithçka është manipuluar për ta dëmtuar profesionalisht dhe shkatërruar si familje.

“Absolutisht jo! Është një trillim i pastër që shumë shpejt do të dalë si flluskë sapuni. E para sepse ka qenë incizim audio dhe jo video. Pra tendenca për të manipuluar audion sot është mjaft e sofistikuar me avancimin e teknologjisë. Unë mund të them që biseda të tilla as janë bërë dhe as janë diskutuar ndonjëherë që mund t’i kem kërkuar favore intime në këmbim të një favori gjyqësor. Absolutisht jo, dhe kjo është e turpshme dhe dashakeqe”.

Boci pranon se e ka puthur 38-vjeçaren, por e ka bërë si një akt njerëzor pa qëllime të tjera.

“E vërteta është se puthja që i kam dhënë ka qenë rutinë, si një puthje në faqe me dikë që takohesh dhe përshëndetesh kur largohesh me një mik, shoqe apo çdokush që e etiketon si të tillë. Unë këtë zonjë nuk e kisha as të afërt dhe asgjë, por thjesht i ofrova një veprim që ajo e ka instrumentalizuar më vonë për qëllime dashakeqe”.

Përveç hetimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre të nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Boci do të përballet në gjykatë edhe me gruan e tij e cila i ka kërkuar divorcin.

Në krahun tjetër gruaja që denoncoi gjyqtarin u pyet për 6 orë nga prokuroret e Krimeve të Rënda. Ajo i është përmbajtur versionit që u publikua të enjten mbrëma në emisionin “Stop”, duke treguar se Boci i ka kërkuar favore seksuale për ta ndihmuar në procesin gjyqësor.

Ajo ka thënë se biseda e regjistruar zgjat më shumë se 50 minuta dhe ajo e bëri këtë veprim pas vendimit të shkallës së parë që i dha shtëpinë ish-vjehrrës së saj./ TV KLAN