Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së dielës në Italinë fqinje, kur një shqiptar ka tentuar të vrasë gruan. Ngjarja ka ndodhur në Malnate të Varese-s, ndërsa mësohet se fatmirësisht gruaja, edhe ajo me origjinë shqiptare, ka arritur të mbijetojë dhe është në spital.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat, ngjarja ka ndodhur brenda makinës së çiftit, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur. Burri 46-vjeçar e qëlloi gruan 40 vjeçe me një armë, ndërsa më pas e goditi disa herë me thikë.
Kanë qenë tre qytetarë që po lëviznin në zonë, që kanë shkuar të ndihmojnë gruan pasi ajo kishte filluar të bërtiste dhe të kërkonte ndihmë.
Ata bënë të mundur bllokimin e 46-vjeçarit deri në momentin që në vendngjarje shkuan autoritetet, të cilat bënë të mundur arrestimin e tyre. Shkaktare e kësaj ngjarje dyshohet të jetë xhelozia.
Ndërkohë, 40-vjeçarja u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo ka marrë një plumb në nofull, por mjekët kanë thënë se e shtëna nuk i ka prekur asnjë organ tjetër. Gruaja shqiptare ka plagë në krahë dhe këmbë për shkak të goditjeve me thikë.
Sipas doktorëve së shpejti ajo ndo t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. 46-vjeçari shqiptar akuzohet për tentativë vrasje. Bashkëshortja e tij punonte si ndihmës sanitare, ndërsa ai ishte një punëtor me precedentë të tjerë penalë. Çifti shqiptar ka dy fëmijë të vegjël./tvklan.al